Deputeti Muja: Do ta votoj Gjykatën Speciale

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputeti Muja: Do ta votoj Gjykatën Speciale

Deputeti Shaip Muja ka vendosur ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, ndonëse është personi më i apostrofuar në raportin e senatorit zviceran, Dik Marty, për trafikim organesh.

Muja thotë se ka 6 vjet që terrorizohet si person dhe si familje, njësoj, siq thotë ai, si në filmat horror të regjisorit Alfred Hiçkok.

Sipas tij, raporti i Marty-t fund e krye është i ndërtuar në bazë të shpifjeve dhe spekulimeve për ta dëmtuar UCK-në, prandaj, siç thotë ai, është koha e fundit që të hiqet njëherë e përgjithmonë kjo njollë për shtetin e Kosovës. Shaip Muja gjatë kësaj interviste për “Zërin” sqaron se vetëm në Kuvend vazhdon të jetë i pavarur, megjithëse ende është pjesë e PDK-së.

Për shtyrjen e votimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, Muja ka thënë se kjo nuk ka ndodhur edhe aq për mungesë të numrave sa ka ndodhur për shkak të informimit jo të qëlluar dhe jo të drejtë të mungesës së materialeve. “Unë edhe atëherë e kam votuar dhe do ta votoj edhe tash pa asnjë hezitim. Çdo shpifje që është bërë në raportin e Dik Marty-t duhet të marrë vlerësimin e qartë edhe të votës së deputetëve dhe të mbylljes juridike dhe nuk guxojmë të lejojmë që të bien njolla mbi shtetin e Kosovës dhe të shpërfillet me hipoteza nga ata që nuk e duan perspektivën e vendit”, ka thënë deputeti Muja në një intervistë për gazetën Zëri.

Nuk e kam braktisur PDK-në

Deputeti Muja në këtë intervistë ka folur edhe për pozicionin e tij në PDK, pasi në Kuvend nuk është pjesë e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Ai ka thënë se nuk e ka braktisur PDK-në, dhe vazhdon të jetë anëtar i saj, ndonëse si deputet i Kuvendit të Kosovës vepron i pavarur pa u koordinuar me Grupin Parlamentar të PDK-së “për aq kohë sa nuk merr përgjigje në lidhje me shqetësimet që i ka shprehur rreth politikave zhvillimore, strategjike dhe kadrovike të lidershipit të PDK-së”.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deputeti-muja-do-ta-votoj-gjykaten-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala