Deputetët “rebelë” të PDK-së ndryshojnë qëndrim për Specialen

Deputetët e PDK-së do të jenë më unikë për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale, kur do të riprocedohet në Kuvend. Disa prej tyre, të cilët fillimisht kanë qenë kundër apo kanë abstenuar, tashmë kanë ndryshuar qëndrim.
Njëri nga nënkryetarët e PDK-së i ka thënë gazetës “Zëri” se deputetët e partisë së tij në të ardhmen do ta mbështesin krijimin e Dhomave Speciale dhe do të sigurohen votat e nevojshme për aprovimin e saj.
“Besoj se gjatë ditëve të ardhshme shefi i Partisë, Hashim Thaçi, do t’i konsultojë deputetët veç e veç, por edhe do të mbahet mbledhja e grupit dhe aty do të qartësohen gjërat. Nuk guxojmë të lejojmë edhe njëherë dështimin e Gjykatës Speciale. Kjo do t’iu bëhet e qartë deputetëve dhe prandaj pritet reflektim i gjithë deputetëve”, ka thënë njëri nga nënkryetarët e PDK-së.
Sipas tij lideri i Partisë, Hashim Thaçi kësaj radhe pritet të jetë më i rreptë në raport me deputetët që nuk e kanë votuar specialen.
“Do t’iu tregohet edhe atyre se obligimi ndërkombëtar që është marrë për Specialen duhet të realizohet. Ky është qëndrimi i grupit se duhet të votohet Specialja”, ka thënë zyrtari i PDK-së, sipas të cilit mund të jenë vetëm tre deputetët: Nait Hasani, Fadil Demaku dhe Ganimete Musliu, që pritet sërish të votojnë kundër Speciales. /Zëri/