Deputetët që dërguan SMS, mund të dënohen deri në 10 mijë euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Dërgimit të SMS-ve nga deputetët në fushata zgjedhore, nga bizneset, universiteteve private, por edhe firma tjera, do të sanksionohen me dënime nga 200 deri në 10 mijë euro, për shkelje të të dhënave personale të qytetarëve. Tanimë për këto, në Gjykata janë 16 raste të cilat do të gjykohen për shkak se kanë bërë marketing të palejuar.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Ruzhdi Jashari, pas raportimit në Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, për punën një vjeçare, ku edhe ka paraqitur raportin e punës.

Jashari tha se është sfidë në vete çështja e marketingut të palejuar, siç është dërgimi i SMS-ve, qoftë nga bizneset, qoftë nga institucionet publike dhe jo publike, por gjithashtu edhe nga deputetët të cilët e kanë përdorur këtë metodë në zgjedhjet e kaluara.

Edhe deputetët kanë vlerësuar lartë punën e kësaj Agjencie, duke thënë se nga viti në vit po arrin efikasitet me të madh në punën e saj, ndonëse i kanë paraqitur edhe shqetësimet e tyre për shkeljen e të dhënave personale nga institucione publike dhe jo publike.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi tha se institucionet jo publike, siç janë universitetet dhe bankat po i keqpërdorin të dhënat e qytetarëve.

Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu duke përgëzuar punën e Agjencisë, tha se të dhënat personale nuk po ruhen nga institucionet publike, siç janë Ujësjellësi, Termokosi, Mbeturinat, e tjera, madje edhe KEDS-i, pavarësisht se ndaj kësaj Agjencia ka fituar kontestin gjyqësor.

Ndaj këtyre shqetësimeve, drejtori i kësaj Agjencie Ruzhdi Jashari tha se kanë marr masa edhe për këto, duke hetuar institucionet jo publike, siç janë bankat dhe universitetet private, duke thënë se kanë marr veprime konkrete.

Po ashtu, sot para Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, shqetësimet e tyre i kanë paraqitur edhe drejtuesit e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe përfaqësuesit e Zjarrfikësve të Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka tha se çështja e zjarrfikësve vazhdon të jetë e rënd, pasi përballen me shumë sfida, siç janë kushtet e punës, moszgjidhja e statusit të tyre, mjetet e punës, buxheti, numri i zjarrfikësve dhe shumë probleme tjera, të cilat i kanë shtruar që nga viti 2008.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deputetet-qe-derguan-sms-mund-te-denohen-deri-ne-10-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala