Deputetët nga “Grupi i Llapit” mund të humbin mandatet

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjykata e Apelit ka publikuar vendimin në ankesën e të akuzuarve në procesin e quajtur “Grupi i Llapit” në të cilin akuzoheshin ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kësaj zone.

Apeli nuk e ka ndryshuar fare vendimin e shkallës së parë, përpos pjesës së kohës së kaluar në paraburgim e cila do t’iu llogaritet atyre. Kështu, Latif Gashi do ta vuajë dënimin unik prej 6 vjet burgim, Nazif Mehmeti do ta vuajë dënimin prej 3 vjetësh burgim, ndërsa Rrustem Mustafa-Remi do ta vuajë dënimin unik prej 4 vjet burgim.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 11 gusht, ndërsa është publikuar sot.

Grupi i Llapit ishte gjetur fajtor në vitin 2013 në disa pika të akuzave për krime të luftës. Sipas vendimit të Gjykatës të pandehurit nga muaji tetor 1998 deri kah fundi i prillit 1999, me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë.

Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së.
Sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, neni 8 pika 1.6, deputeti humb mandatin pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës, kur ata dënohen me burgim prej 1 ose më shumë vjet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deputetet-nga-grupi-i-llapit-mund-te-humbin-mandatet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala