Deputetët kërkojnë lirimin e Ramush Haradinajt

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan lirimin e menjëhershëm të liderit të AAK-së, deputetit Ramush Haradinaj.

Deputeti nga PDK-ja, Adem Grabovci kërkoi që praktikat si në rastin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt të ndërpritet.
Shqetësimi më i madh sipas Grabovcit është se kanë të bëjnë me një shtet mik siç është Sllovenia.

“Rasti i tillë është edhe një provokim i rëndë që po iu bëhet qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, tha Grabovci në seancën e Kuvendit, duke kërkuar angazhim serioz nga të gjitha institucionet që këto praktika të ndërpriten, transmeton Telegrafi.

Ismet Beqiri nga Grupi parlamentar i LDK-së kërkoi që situata të zgjidhet sa më shpejt dhe diçka e ngjashme të mos përsëritet.

Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se ndalimi i Haradinajt është i papranueshëm.

Sipas tij, ky fletarrest nga Serbia është lëshuar kur Haradinajt po i përgatitej gjyqi i Hagës.

Ai tha se kjo që ndodhi nuk e amniston as Qeverinë e Kosovës sepse është hera e tretë që i përsëritet zyrtarëve tonë dhe nuk rregullohet.

“Njëherë me Agim Çekun, pastaj me Fatmir Limaj dhe tash me Ramush Haradinaj”, tha Konjufca, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Haradinajt.

“Të mos i biem në qafë më shumë Sllovenisë se Serbisë. Problemi i vërtetë është shteti serb, jo Sllovenia”, tha Konjufca.

Deputeti Pal Lekaj, në emër të AAK-së tha se ndalimi i Ramush Haradinajt dje në Slloveni është tallje me të gjithë shtetin e Kosovës

Lekaj fton shtetin slloven që pa asnjë kusht ta lirojë Haradinajn dhe që lista e fletë arresteve të Serbisë të pastrohet njëherë e përgjithmonë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deputetet-kerkojne-lirimin-e-ramush-haradinajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala