Deputetë dembelë dhe të vyeshëm të Parlamentit

Autori:Avdyl Pajaziti

Sipas platformës “Vota Ime”, e cila monitoron gjithçka që ka të bëjë me punën e deputetëve të Kosovës, nga 120 deputetë sa ka Parlamenti vetëm 11 prej tyre kanë marrë pjesë në të gjitha seancat plenare të zhvilluar deri më tani. Ndërsa ka edhe të atillë që, përkundër se janë zhvilluar shumë më pak seanca sesa do të duhej, kanë vendosur të mos marrin pjesë në më shumë se gjysmën prej tyre. Rrogat të gjithë të plota i kanë marrë.

Deputetët e Kuvendi të Kosovës të kësaj legjislature – e pesta – e përbërë nga 120 deputetë kanë pasur shumë pak punë që nga fillimi i mandatit të tyre.

Në fillim ishte ngërçi politik, i cili zgjati gashtë muaj rresht, duke bllokuar jetën parlamentare në total, dhe tash, në pjesën dytë të vitit, përsëri nuk ka seanca plenare për shkak se opozita ka vendosur t’i bllokojë ato, deri në plotësimin e kërkesave të tyre – tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e arritur mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, dhe nga marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Se është punuar pak tregojnë edhe shifrat, njofton Klan Kosova.

Sipas platformës së përbashkët të Institutit Demokratik të Kosovës dhe Info Magazinës, “Vota Ime”, agjenda legjislative është përmbushur vetëm 23 për qind, duke miratuar jo më shumë se 30 ligje nga 128 sa parashiheshin në fillim.

Por, disa deputetë të Kosovës edhe përkundër punës së paktë për arsyet e lartshënuara, edhe kur kanë mundur të jenë prezentë në seanca, kanë zgjedhur të mos e bëjnë këtë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, është deputeti që ka pjesëmarrjen më të ulët nga të gjithë kolegët e tij.

Ai, sipas të dhënave që shfaqën në platformën “Vota Ime”, ka marrë pjesë vetëm në gjysmën e seancave të zhvilluara në Kuvend.

Nga gjithsej 60 të tilla, ai kontribuoi vetëm në 30 prej tyre, njofton Klan Kosova.

Krejt pak më mirë qëndron kolegu i tij nga Nisma për Kosovën.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është i dyti pas Bislimit me më së paku pjesëmarrje, duke dhënë kontributin e tij në Parlament në vetëm 32 seanca.

Për pos munguesve ka edhe të tillë që kanë qenë të plotë, fizikisht, në seancat plenare.

Kështu për shembull deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka marrë pjesë në të gjitha seancat e mbajtura në Kuvend.

Njëjtë si ajo janë edhe disa kolegë të saj nga Opozita, por edhe nga koalicioni qeverisës.

Ali Sadriu e Synavere Rysha nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pastaj Fadil Beka, Mexhide Mjaku-Topalli, Naim Fetahu, Sala Berisha- Shala e Xhevahire Izmaku nga koalicioni parazgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës e Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Etem Arifin nga Partia e Ashkalinjeve për Integrim e Kujtim Paçakun nga KNRP-ja, janë deputetët që nuk kanë munguar asnjë seancë të vetme në Kuvend.

Kështu, vetëm 11 ligjvënës nga 120 sa janë gjithsej kanë gjetur kohë që të jenë në vendin e tyre të punës, sa herë që është dashur të jenë.

Përkundër pak seancave dhe mungesave të shumta më herët këtë vit nënkryetari i Kuvendi të Kosovës, Xhavit Haliti, ishte ankuar se deputetët edhe kur vinë në seanca më shumë qëndrojnë në bufe, se sa në sallë.

Madje ai kishte kërkuar që të mbyllje bufeja fare, si mundësi e vetme kjo për t’i pasur të zgjedhurit e popullit në vendin për të cilin edhe janë zgjedhur.

“Nuk ka kuptim të mbesim pa i votuar ligjet e vendimet për shkak të mungesës së përhershme të deputetëve”.

“Është e palogjikshme që gjithmonë gjysma e deputetëve të jenë në bufe”, kishte deklaruar Haliti, njofton Klan Kosova.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deputete-dembele-dhe-te-vyeshem-te-parlamentit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala