Demiraj: Dy spiunë ishin brenda luftëtarëve trima shqiptarë në Kumanovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy persona që kanë qenë pjesë e grupit të shqiptarëve që luftuan me Ushtrinë dhe Policinë maqedonase në Kumanovë, dhe që tashmë çuditërisht u janë “arratisur” forcave speciale, kanë qenë spiunët brenda grupit të luftëtarëve.

Ish-ushtaraku Dritan Demiraj, komandat i pesë misioneve në Afganistan dhe i dekoruar nga Bujar Nishani me “Medalje mirënjohje” nga presidenti i SHBA-ve Barack Obama, tregon në një intervistë disa detaje të këtij sulmi, ku njëri nga të njohurit e tij mbeti i vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë.

Në faqen tuaj në “facebook” keni kthyer një përgjigje të zjarrtë kundër ish-ministres së Brendshme të Maqedonisë Jankullovska, e cila ka pohuar në një bisedë telefonike, se për një orë luftë i shfaros të gjithë shqiptarët. Ju evidentoni se shqiptarët janë populli më i fortë në Ballkan dhe se maqedonasit nuk kanë forcë t’i trembin dhe mposhtin me Jankullovskën?

Ka qenë një shkrim i zakonshëm dhe rutinë e ditës, pasi publikoj diçka çdo ditë në Facebook. Ndjeva keqardhje si të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Kumanovë, djemtë e të cilës u masakruan nga Forcat Speciale dhe Ushtria maqedonase. Gjithashtu ndjej keqardhje për këtë ngjarje pasi politika shqiptare, politika shqiptare që është gjithashtu pjesë e Qeverisë Gruevski dhe Qeveria e Kosovës, nuk kanë bërë një deklaratë të përbashkët që t’ju dalë në mbrojtje shqiptarëve. Mendimin tim që kam shkruar kërkoj që mos politizohet dhe se shkrimi lidhet me atë që kur kam qenë 18 vjeç kam bërë një betim para flamurit, para kombit, që ne si ushtarë pavarësisht jemi apo s’jemi në Ushtri, t’i shërbejmë kombit shqiptar në çdo moment. Thirrja ime nuk ka të bëjë për ngritjen e një ushtrie dhe të ushtarëve dhe të luftohet në Maqedoni. Deklaratat e ish-ministres me pak fjalë i konsideroj si primitive. Një ish-ministre që ka shkelur të gjitha ligjet e shtetit të saj dhe të drejtat e njeriut.

Sipas jush, kush është përgjegjësi i asaj që ndodhi në Kumanovë?

Po ua them se është përgjegjës kryeministri Gruevski, ish-ministria e Brendshme Jankullovska, shërbimi sekret maqedonas, dhe pa dyshim përgjegjës janë dhe faktori politik shqiptar, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët po bëjnë një bashkëqeverisje në lidhje me të drejtat e njeriut dhe më konkretisht të shqiptarëve. Më vjen çudi që nuk reagon fort Ali Ahmeti i cili ka një sfond si ish-komandant lufte dhe pjesën më të madhe të atyre që u vetëdorëzuan i njeh.

Ju tashmë jeni një ushtarak i vjetër dhe pjesëmarrës në pesë misione të rëndësishme jashtë shtetit. A njihnit ndonjërin prej të vetëdorëzuarve apo personave që mbetën të vrarë gjatë betejës?

Të qënurit për shume vite në Ushtrinë shqiptare, nuk më ka rënë rasti t’i takoj pjesëmarrësit në këtë sulm. Unë njihja vetëm dy nga protagonistët në këtë betejë dhe këtë njohje e kam pasur në një aktivitet sportiv, pasi unë dhe ata jemi marrë e sport dhe jemi takuar në Kosovë. Nuk është mirë t’i përmend me emra pasi njëri është vrarë dhe tjetri është i plagosur. Kam përshtypjen se djemtë e vetëdorëzuar po masakrohen, duke i lënë pa bukë, pa ujë nga ana e Policisë.

Si e shikoni ndërhyrjen me tanke, autoblinda dhe helikopterë të Forcave Speciale dhe Ushtrisë në një zonë tepër të populluar. Nevojitet vërtet i gjithë ky mobilizim?

Ka pasë një numër shumë të konsiderueshëm forcash, repartesh speciale dhe njësi të motorizuara dhe të blinduara, plus një njësi helikopterësh dhe shumë agjentë të shërbimeve sekrete maqedonase. Përdorimi i këtyre forcave dhe grumbullimi shumë shpejt i tyre në Kumanovë, në lagjen e “Trimave”, tregon se sulmi ka qenë i parapërgatitur më herët dhe i mirëmenduar. Përdorimi i topave dhe armëve të kalibrave të mëdha ka sjellë dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm.

Policia dhe Ushtria maqedonase është nisur për ti vrarë dhe jo për ti arrestuar?

Pa dyshim që ka shkuar për t’i vrarë. Dhe këtë gjë e tregon mobilizimi shumë i shpejtë. Maqedonasit kanë pasur spiunin brenda grupit të shqiptarëve dhe këtë gjë e tregon “arratisja” e dy të arrestuarve, të cilët u ikën policëve sapo treguan armët në mal të grupit.

U tregua trimëri apo tradhti në betejën e Kumanovës?

Të dyja bashkë. Djemtë luftuan me trimëri, ndërsa në krah kishin dhe tradhtarë. Por, forca dhe fuqia e shqiptarit vazhdon të jetë e ndezur. Vlerësimi i Jankullovkës se mund t’i zhdukë shqiptarët për një orë është joprofesionale dhe fshatareske. I kujtoj kësaj ish-ministre se lufta guerilase ka gërryer superfuqi ushtarake dhe jo më një Maqedoni. /Shqiptarja/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/demiraj-dy-spiune-ishin-brenda-luftetareve-trima-shqiptare-ne-kumanove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala