Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi është arritur, por po mbahet i fshehtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Republika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi kanë arritur marrëveshje për demarkacionin dhe atë para 20 ditësh, në bazë të së cilës kufijtë mbesin ata të vitit 1974, kur Kosova ishte krahinë autonome e ish-Jugosllavisë.

Në këtë konkludim ka arritur gazeta malazeze “Vijesti”, e cila shkrimin e botuar në numrin e sotëm e bazon në burime të veta.

Sipas gazetës, marrëveshja bazohet në kufijtë e vitit 1974, e sipas të cilëve, pjesa e lokalitetit Kulla te Rozhaja dhe hapësira e Rugovës nën Çakor në komunën e Plavës, i mbetet Malit të Zi.

Gazeta thotë se banorët dhe një pjesë e opinionit publik kosovar kanë insistuar vazhdimisht që kjo pjesë t’i takojë Kosovës.

Tutje, gazeta bën me dije se komisioni për caktimin e kalimeve kufitare i Malit të Zi dhe komisioni për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit i Kosovës, e kanë arritur marrëveshjen diku në Shqipëri, por ende nuk e kanë bërë publike. E kjo, sipas “Vijestit”, ka ndodh me vendimin e të dy qeverive.

Burimi i gazetës, ka thënë se marrëveshja u bazua në shënimet kadastrale të bëra në Kosovë qysh në vitin 1932, e sipas të cilave, rreth 6.000 hektarë tokë për të cilat po insiston një pjesë e kosovarëve, ishte regjistruar si pronë e Malit të Zi.

Kjo marrëveshje, sipas burimit të “Vijestit”, po del të jetë arritur para se Kuvendi i Kosovës të mblidhej më 25 qershor ku ftoi në interpelancë ministrin e punëve të jashtme Hashim Thaçin dhe miratoi një rezolutë me të cilën do të insistonte që vija kufitare të mbetet ajo e Kushtetutës së vitit 1974.

Prishtina dhe Podgorica janë në bisedime për demarkacionin që nga viti 2009.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/demarkacioni-kosove-mali-i-zi-eshte-arritur-por-po-mbahet-i-fshehte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala