Demaku: Vendimi i gjykatës, i dyshimtë dhe i padrejtë

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg kryetarin e komunës së Drenasit, Nexhat Demaku .
Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e konsideron të vetën, por Gjykata Supreme e vlerësoi private.
Këtë lajm e ka konfirmuar për Klan Kosovën vet Demaku i cili e ka cilësuar si të padrejtë dhe të dyshimtë vendimin e kësaj gjykate.
I pari i Drenasit tha se toka ku është ndërtuar shkolla, figuron në kadastrin e komunës si pronë komunale dhe familja Hasi e cila e ka paditur komunën ka kërkuar nga ky institucion lokal që të bëjë tjetërsimin e pronës dhe atë ta shpallë si pronë private, gjë që ka refuzuar ta bëjë komuna e Drenasit.
Sipas Demakut, rasti për të cilin u dënua daton nga viti 2000.
Ai më tej shtoi se do bëjë apel ndaj këtij vendimi.
Pos udhëheqësit të kësaj komune, me 1 vit burg për të njëjtin rast është dënuar edhe drejtori i kadastrit Mehdi Kurumeli ndërkaq referenti për ndërrime kadastrale, Shefqet Morina është liruar nga akuzat.