Demaku: Kam vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve – vendimi i papranueshëm

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i dënuar i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka thënë se është i befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i shqiptoi atij sot dënimin prej 1 vjet e gjysmë burgim.

Ai konsideron se ka vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe ka theksuar se kjo pronë ka qenë e komunës dhe është tjetërsuar në kohën e masave të dhunshme.

Demaku, siç raporton KTV, ka thënë gjithashtu se vendimi është i papranueshëm pasi që, siç u shpreh ai, “rasti është marrë kryesisht me mua, edhe përkundër faktit se unë nuk kam qenë direkt i përfshirë në rast”, transmeton Koha.net.

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku ka insistuar që Gjykata të mos ngutet me këto raste të kontesteve pronësore, duke thënë se duhet t’i presin dokumentet e kadastrit nga Serbia.

Ndërkaq, avokati i familjes Hasi, që paditi Komunën e Drenasit për kompensim të fitimit të humbur, Arif Hasi, ka thënë se vendimi është i drejtë “deri diku pasi që prokurorja nuk ka kërkuar ndalimin e funksionit publik ndaj kryetrarit Demaku dhe drejtorit të komunës, Mehdi Korumeli”.

Hasi ka theksuar faktin se familja Hasi do të insistojë deri në fund që ta kthejë pronën e vet dhe nëse vendimi nuk zbatohet, “familja do ta marr ligjin në dorë vet”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/demaku-kam-vepruar-ne-mbrojtje-te-interesit-te-qytetareve-vendimi-i-papranueshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala