Deklarata e kryeministrit para largimit nga Prishtina

Autori:Zekirja Shabani

Para se të niset për manifestimet e Degës së LDK-së në Klinë, Kryeminisitri i Kosovës, Isa Mustafa qysh në orët e para të mëngjesit e ka ndjerë të nevojshme të jap disa sqarime rreth Trepçës.

Për këtë ndërmarrje do të protestohet sot nga ora 14:00 në kryeqytet.

Ja çka shkruan ai në profilin e tij në Facebook:

“E vlerësoj të nevojshme të sqaroj se ka paqartësi te vendorët por edhe te ndërkombëtarët lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Sipas këtij propozimi, me nenin 2 të këtij ligji krijohet mundësia që Kuvendi i Kosovës mund të vendosë, me kërkesë të Qeverisë, që një ndërmarrje apo pjesë e saj të kaloj nga pronësia shoqërore, që është nën autoritetin e AKP-së, në pronësi publike. Kurse, regjistrimi i këtyre firmave si publike bëhet në marrëveshje me komunat, në territorin e të cilave gjenden.

Fjala është këtu për prona të cilat do të krijonin kushte për ndërtim të infrastrukturës shkollore, shëndetësore, kulturore, sportive etj, në interes të komunitetit, para së gjithash në komuna, sepse atyre sot iu mungojnë hapësirat, por dhe për toka të cilat do të nevojiteshin për tërheqje të investitorëve të jashtëm. Nuk është fjala për shtetëzim të pronave, në të kundërtën përcaktimi ynë është për ekonomi të tregut të bazuar në pronën private.

Këto dispozita nuk janë menduar të vlejnë për Trepçën. Është propozuar që Trepça të rregullohet me Ligj të veçantë. Me ligjet në fuqi të gjitha pasuritë minerare nëntokësore janë pronë e shtetit, kurse në forma të tjera të pronësisë (private, publike dhe ato që kanë mbetur shoqërore) janë ato sipërfaqësore.

Prandaj është shumë e qartë se pasuritë minerare të Trepçës janë pronë e shtetit të Kosovës, për të cilat shfrytëzuesit i paguajnë shtetit një taksë të veçantë. Pyetja në veçanti shtrohet se a duhet të jetë shteti menaxher i Trepçës apo vetëm pronar i pasurive nëntokësore.

Deri më tani, është vërtetuar se shteti ka dështuar të jetë menaxher i atyre firmave të cilat nuk prodhojnë produkte që janë në interes të publikut (arsim, shëndetësi, kulturë e sport, ujë, energji, shërbime postare, transport publik etj) dhe ku zbatohet ekonomia e shkallës (produkte apo shërbime me kosto më të ulët për njësi).

Edhe qeverisja korporative në të shumtën e rasteve po tregohet joefikase dhe joefiçente. Por në rastin konkret kjo çështje vlen të vlerësohet pasi të jetë kompletuar Strategjia e Trepçës”, shkruan kryeministri Mustafa.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deklarata-e-kryeministrit-para-largimit-nga-prishtina/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala