Intervistë l Kurshumliu: Ky është projekti i kompanisë gjermane për “Kosova A”

Autori:Avdyl Pajaziti

Termocentrali “Kosova A” është ndërtuar para 45 viteve. Deri tani për ta mbajtur gjallë atë janë investuar miliona euro. Tash shpenzimi i parave për ta riparuar atë vlerësohet i kotë. Por, për këtë termocentral kompania gjermane Bilfinger ka një projekt, të cilin ai ka paraqitë edhe Qeverisë së Kosovës. Kjo kompani, sipas përfaqësuesit të saj në Kosovë, Avni Kurshumliut do ta bëjë Kosovën A funksionale dhe shumë moderne për 800 milionë euro.

Njohësi i ekonomisë, Kurshumliu ka treguar në këtë intervistë për Gazetën Fajala detajet e këtij projekti dhe arsyet se pse Kosova A është një bombë e kurdisur.

“Nuk ia vlen te investohet më tutje në mirëmbajtjen apo revitalizimin e një termocentrali te këtilë, te vjetër, sepse ai vazhdimisht paraqet pasiguri në prodhim dhe rrezik për të punësuarit. Një termocentral i tillë është si një bombë e kurdisur të cilës nuk i dihet se kur do te eksplodoj, nga rreziku i eksplodimit te avullsjellësve të temperaturave dhe trysnive te larta. Ata kurr nuk janë shqyrtuar e që për shkak të vjetërsisë i kanë kaluar të gjitha normat e lejuara teknike. Bilfinger ka ofruar që me kosto te tyre të sjelle një TUV Gjerman për të shqyrtuar dhe dhënie të mendimit a lejohet shfrytëzimi i mëtutjeshëm i TC Kosova A por udhëheqësit e Bordit te KEK-ut këtë nuk e kanë lejuar”, ka thënë Kurshumliu

Gazeta Fjala: Cili është projekti i kompanisë Bilfinger për Kosovën A? A mund të na jepni detaje?

Kurshumliu: Firma Gjermane Babkock Borsig Steinmueler GmbH-BILFINGER, para tre viteve ka fillua me studimin e gjendjes energjetike ne Kosove dhe duke vërejtur krizën e cila po i vjen Kosovës, para dy viteve e ka paraqite një zgjidhje ne formën e një prezentimi tekniko-ekonomik ( por edhe studim te fizibilitetit) për evitim e kësaj krize. Projekti i firmës Bilfinger ka të bëjë me rindërtimin e termocentralit Kosova A , gjegjësisht të blloqeve A2, A3, A4 dhe A5. Blloku A1 nuk është marr parasysh për shkak te kapacitetit te vogël, 65 MË dhe nuk ia vlen investimi.

Pra fjala është për rindërtim te këtyre blloqeve qe nënkupton ne fundamentet e vjetra ndërtohen termocentrale komplet te reja, që kanë me qenë në funksion 30 vitet e ardhshme me mundësi pastaj edhe të revitalizimit, edhe 10 vite tjera plus. Do të aplikohen zgjidhjet me moderne teknologjike që do të mundësojnë plotësimin e plotë të kërkesave të BE-se për mbrojtje te ambientit. Pra do të jetë termocentral pa tymtar. Blloku A2 do të ketë ngarkesën e garantuar 125 MW, A3, A4,dhe A5 do të kenë ngarkesën secili nga 230 MW e që në tërësi do të kemi 815 MW

Gazeta Fjala: A ja vlen të investohet në një termocentral të vjetër në vend se të bëhet një i ri nga fillimi?

Kurshumliu: Nuk ia vlen te investohet më tutje në mirëmbajtjen apo revitalizimin e një termocentrali të këtillë, të vjetër, sepse ai vazhdimisht e paraqet pasiguri në prodhim dhe rrezik për të punësuarit. Një termocentral i tillë është si një bombe e kurdisur të cilës nuk i dihet se kur do të eksplodoj, nga rreziku i eksplodimit të avullsjellësve të temperaturave dhe trysnive të larta. Ata kurr nuk janë shqyrtuar e që për shkak të vjetërsisë i kanë kaluar të gjitha normat e lejuara teknike. Bilfinger ka ofruar që me kosto të tyre të sjellë një TUV Gjerman për të shqyrtua dhe dhënje të mendimit a lejohet shfrytëzimi i mëtutjeshem i TC Kosova A por udhëheqësit e Bordit te KEK-ut këtë nuk e kanë lejuar.

Gazeta Fjala: Sa do të jetë kostoja totale e projektit dhe sa do të jetë participimi i qeverisë së Kosovës në të?

Kurshumliu: Firma Bilfinger në ofertën e vet ka ofruar çmimin prej 800 milion euro por me modelin ALEANCE, që parasheh një firme ndërkombëtarë konsulente e cila do të bënte mbikqyrjen e komplet projektit. Firma Bilfinger do të jetë përgjegjes për projektin, garancionet për termine, garancionet për kualitet të paisjeve, garancionet për arritjen e kapaciteteve prodhuese, garancionet për arritjen e parametrave ekologjike si dhe aftësimin e kuadrit vendor për prodhim dhe mirëmbajtje. Kjo paraqet afër 8% të vlerës së projektit kurse pjesët tjera si teknologjike dhe ndërtimore firma konsulente përmes tenderëve do ti zgjedh nga prodhuesit e njohur botëror ku do të konkurroj edhe Bilfinger.

Meqenëse TC Kosova A ka qenë dhe është aset i Qeverise se Kosovës. Bilfinger në propozimin e vet mendon se kjo edhe duhet kështu të mbetet për shumë arsye: Ikja nga monopoli energjetik nga firmat e huaja, çmimi shumë i lirë i energjisë që do të prodhohet këtu me fitime të larta dhe koha e shkurtë e ndërtimit. Për ndërtim Qeveria e Kosovës përmes ndihmave Gjermano-Amerikane apo kredive të buta duhet t siguroj afër 360 Milion Euro dhe mandej me hyrjen e dy blloqeve të para në prodhim është i mundur vetë financimi për ndërtimin e dy blloqeve tjera.

Gazeta Fjala: Nëse do të kemi një Kosovë A të re, sa do të jenë kapacitetet e saj prodhuese?

Kurshumliu: Projekti i firmës Bilfinger parasheh që nga TC Kosova A e rindërtuar të fitohen 815 MW.

Gazeta Fjala: Sa kohë do të duhet deri në funksionalizimin e plotë të këtij termocentrali?

Kurshumliu: Sipas terminplanit që ka paraqit firma Bilfinger, nga dita e nisjes gjer në përfundim të bllokut të fundit nevojiten 6 vite por këto do të lëshohen në punë suksesivisht njëra pas tjetrës. Blloku i parë hyn në prodhim pas 32 muajve.

Gazeta Fjala: Kë e shihni konkurrent në këtë projekt?

Kurshumliu: Në këtë projekt nuk shohim asnjë konkurrent, dhe ky projekt nuk ka alternativë. Në figurën 1 shihet strategjia e tanishme e Qeverise së Kosovës e cila pas vitit 2017 e qon Kosovën në një humnerë energjetike. Thirrja vetëm në TC Kosova e Re është gabim total sepse edhe po që se ky TC niset në fund të vitit 2016 ai nuk mund të prodhoj energji para vitit 2023, dhe atëherë prap do të kemi mungesë prej 800 MË. E deri atëherë pra prej vitit 2017 duhet dikush të përgjigjet se si do të jetoj ky popull pa energji. Prandaj projekti i Bilfinger nuk ka alternativë për Kosovën por ai parasheh që edhe TC e Re të ndërtohet sa më parë (shih figurën 2 propozimin e Bilfinger). Këtu duhet të kihet parasysh se edhe TC Kosova B është vjetruar dhe duhet të shkojë në revitalizim që në vitet 2019 dhe 2020 do të mbesim vetëm me nga një bllok te TC B dhe atë kur punojnë.

Gazeta Fjala: Sa është e vjetër Kosova A dhe sa para janë investuar për ta mbajtur gjallë atë deri më tani?

 Kurshumliu: TC Kosova A është mbi 45 vite e vjetër dhe shumën e saktë sa investime janë bërë aty nuk besoj që e di dikush sepse kanë dërguar shum donacione, sidomos në kohën e UNMIK-ut, por sidoqoftë besoj se janë në pyetje disa qindra milion Euro.

GazetaFjala: Përse po zvarritet ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë?

 Kurshumliu: Kosova pas luftës ka pas në energjetikë shumë këshilltaë që sipas mendimit tim të gjithë kanë qenë të gabuar. Ata kanë bërë që në të paraqitemi si shumë jo serioz e që ka shkaktuar ikjen e investitorëve serioz. Ky projekt po zgjat që 15 vite e ne akoma jemi në pikën zero. Kjo është e pa tolerueshme.

Gazeta Fjala: Kush janë grupet e interesit që nuk po lejojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja?

Kurshumliu:  Sipas mendimit tim të gjithë ata që deri tani kanë fituar tendere milionëshe në mirëmbajtjen apo revitalizimin e TC Kosova A apo B paraqesin grupet e interesit të cilave nuk iu konvenon ndërrimi i kë saj situate.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deklaratã«/interviste-l-kurshumliu-ky-eshte-projekti-i-kompanise-gjermane-per-kosova-a/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala