Dekanët kërkojnë imunitet për stafin akademik të UP-së (Dokument)

Në një letër drejtuar ministrit Arsim Bajrami, disa dekanë dhe senatorë propozojnë që zgjedhjet të mos organizohen për Këshillin Drejtues dhe Parlamentin e Studentor.
Ata kërkojnë zgjedhje për të gjitha organet e UP-së, por jo edhe për këto dy organet e fundit. Nënshkruesit e kësaj letre propozojnë që Këshilli Drejtues ta udhëheqë procesin zgjedhor, por në këtë shkresë nuk përmendet fare zgjedhjet për Parlamentin Studentor, raporton ORAinfo.
Gjithashtu, nënshkruesit e kësaj shkrese kërkojnë që zgjedhjet të mbahen gjatë muajit dhjetor dhe propozojnë një lloj moratoriumi në aktivitetet e Senatit të Universitetit gjatë periudhës sa zgjasin zgjedhjet, duke kërkuar që Senati të mos mblidhet si dhe të mos bëhen punësime, avancime dhe degradime.
E, kulmi i kësaj shkrese është që këta dekanë dhe senatorë kërkojnë që gjatë kësaj periudhe, të mos merren masa disiplinore ndaj stafit akademik dhe administrativ të UP-së.
Pra, këta dekanë po kërkojnë që stafit akademik të mos i shqiptohet asnjë dënim për moskryerjen e punëve në pajtueshmëri me ligjet në fuqi.