Deda: E rëndësishme është se marrëveshja s’është refuzuar nga liderët

Autori:Avdyl Pajaziti

Propozimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ilir Deda dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, që përmes një draft- marrëveshje të propozuar nga këta deputetë të dilet nga kriza politike e cila po mbizotëron në vendi, si duket ka mbetur pa përgjigje.

As pushteti, por as opozita nuk i janë përgjigjur ftesës së Dedës dhe Osmanit për draft- marrëveshjen e propozuar, duke zgjedhur heshtjen përballë këtij propozimi.

Deputeti Ilir Deda, duke e komentuar heshtjen e liderëve të partive që iu është drejtuar kërkesa për marrëveshje, ka thënë për Telegrafin “se më rëndësi është që deri tash nuk ka pasur refuzim nga ana e liderëve të partive politike në Kosovë”.

Sipas tij, nuk është dhënë ndonjë afat kohor për të marrë përgjigje nga ata, të cilëve iu është drejtuar draft marrëveshja.

Ndryshe, Ilir Deda dhe Vjosa Osmani, ditë më parë në ambientet e Kuvendit të Kosovës kanë paraqitur një propozim marrëveshje për dalje nga kriza politike, të cilin do t’ia përcjellin liderëve të partive politike në vend. Deda dhe Osmani, kanë thënë se idenë e tyre e kanë përkrahur edhe kolegë të tjerë nga Kuvendi i Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni marrëveshjen pesë pikëshe të propozuar prej tyre:

Marrëveshje politike

– Duke pasur parasysh se institucionet e Kosovës përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve të vendit dhe janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe me ligj;

– Duke njohur kontributin dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë në vend për të ndërtuar këto institucione;

– Duke qenë përherë falënderues për mbështetjen e vendeve të botës demokratike për lirinë, paqen dhe në procesin e shtetndërtimit dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës; -Duke njohur synimin e qytetarëve të Kosovës për integrimin euro-atlantik të vendit dhe reformat e rëndësishme që duhet t’i ndërmerrë vendi ynë në procesin e integrimit evropian;

– Duke e ditur se dhuna, në çfarëdo formë, nuk zgjidhë asnjë problem, por vetëm thellon edhe më shumë ndarjet dhe mospajtimet,

– Me qëllim të zgjidhjes të situatës politike në vend, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën arrijnë këtë:

MARRËVESHJE

1. Kuvendi i Kosovës do të themelojë një Komisionin hetues të udhëhequr nga opozita për të shqyrtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Përbërja e Komisionit do të jetë sipas dispozitave të Rregullores së Punës së Kuvendit. Komisioni do të ftojë së paku 5 (pesë) përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë, të cilët e kanë të drejtën e diskutimit dhe të propozimeve në Komision, por nuk kanë të drejtë vote.

Mandati i Komisionit është 30 (tridhjetë) ditë, dhe konkluzionet e tij do të merren me konsensus të partive nënshkruese të marrëveshjes dhe do të aprovohen në Kuvend.

2. Kuvendi i Kosovës do t’i zgjedhë 2 (dy) gjyqtarët e radhës në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që vendimi i saj për kushtetutshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë të Komunave me shumicë serbe të bëhet me Gjykatë Kushtetuese të kompletuar. Përzgjedhja e kandidatëve konsensual për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese bëhet që të sigurohet paanshmëria, profesionalizmi dhe përkatësia jopartiake, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

3. Pa e paragjykuar vendimin përfundimtar, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidhë dilemat për Asociacionin/Bashkësinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do t’i drejtohet Komisionit Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (“Komisioni i Venecias”) për sqarime shtesë.

4. Kjo Marrëveshje nënshkruhet nën mbikëqyrjen e Presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend.

5. Kjo marrëveshje do të votohet si Rezolutë e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës, më së largu 7 (shtatë) ditë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

Ndryshe, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Ulrike Lunacek, ka mirëpritur propozimin 5-pikësh të deputetes Vjosa Osmani dhe deputetit Ilir Deda, duke përkrahur këtë draft për marrëveshje politike, si një pikënisje të vërtetë të dialogut politik në mes të liderëve partiakë, për të gjetur një zgjidhje politike që rikthen funksionalitetin në Kuvendin e Kosovës.

Lunacek, ka thënë se i vlerëson jashtëzakonisht shumë përpjekjet e deputetëve Osmani dhe Deda, të cilët, sipas saj, në një përpjekje evropiane kanë arritur të shkruajnë një propozim të vlefshëm dhe shumë racional “të cilin kërkoj që ta pranojnë të gjitha partitë në Kosovë, qofshin ato opozitare apo qeveritare”.

“Pajtimi për këtë propozim do të ishte mënyra e duhur për t’iu kthyer një mënyre paqësore të negociatave dhe debatit parlamentar dhe të mos dëmtohet më tutje imazhi i Kosovë jashtë me eskalim të mëtejshëm të dhunës.

“Kjo e fundit [eskalimi i mëtejshëm i dhunës] do ta bënte shumë të vështirë argumentimin e miqve të Republikës së Kosovës për integrim të mëtejshëm të shtetit më të ri evropian në BE, veçanërisht kur kemi të bëjmë me bindjen e ministrave të Brendshëm vitin e ardhshëm – pasi Komisioni [Evropian] me gjasë do t’ia jap dritën e gjelbër Këshillit [të Evropës] në dhjetor – që ta japin dritën e gjelbër për liberalizim vizash”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/deda-e-rendesishme-eshte-se-marreveshja-seshte-refuzuar-nga-lideret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala