Dardan Molliqaj: Asociacioni është fashist, nuk do të lejojmë të na poshtëroj(n)ë

Autori:Gazeta Fjala

Lëvizja Vetëvendosje i ka fuqizuar kundërshtimet ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka paralajmëruar rritjen e intenzitetit dhe formave të reagimit.

Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për Klan Kosovën ka deklaruar se diskriminimi etnik që iu bëhet qytetarëve joserbë të Kosovës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i papranueshëm për çfarëdo shteti tjetër në botë.

“Në Gjermani, Francë, Itali apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka përcaktime etnike për postet publike”.

“Në vendet e qytetëruara përcaktimet bëhen sipas qytetarisë, pra përkatësisë shtetërore, jo asaj etnike”, ka pohuar Molliqaj duke iu referuar faktit se Asociacioni do t’i zgjedhë Komandantët e Policisë për komunat përkatëse që domosdoshmërisht duhet të jenë serbë.

“Në çdo post publik në Republikën e Gjermanisë, apo në Monarkinë e Britanisë, ka të drejtë të aplikojë çdo qytetar i asaj republike, apo i asaj monarkie”.

“Ndërsa në Kosovë, me aplikimin e standardit etnik, po rikthehemi në fashizëm, ku duhet ta provosh prejardhjen etnike me disa breza për të pasur poste publike”.

Diskriminimi është i qartë, ka thënë ai, “pasi favore të tilla etnike bëhen vetëm për serbët. Ata po trajtohen si një ‘superminoritet’, sepse kjo është dëshira dhe projekti i Serbisë”.

Sipas sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, jo vetëm pjesë të veçanta të Asociacionit, sikur që është rasti me Komandantin e Policisë, por edhe vetë Bashkësia si e tërë përbën një diskriminim të pastër.

“I gjithë Asociacioni – apo Zajednica – në vetvete është diskriminim. Ajo që në titull quhet ‘Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe’, pra është përjashtues, ekskluziv që në titull”.

“I jep mundësinë një pjese të qytetarëve të Kosovës të marrin fonde nga Qeveria e Kosovës dhe nga Qeveria e Serbisë, i jep mundësinë që të kenë të drejta ekzekutive mbi rendin, arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet publike”.

“Këto të drejta janë diskriminuese ndaj vetë Kosovës, pasi asnjë vend tjetër në Europë nuk i jep këto të drejta për ndonjë minoritet”.

Molliqaj thotë se shtetet e rajonit nuk kanë as për së afërmi të drejta të tilla për pakicat, derisa kur bëhet fjalë për shqiptarët në Serbi luhet me standard të dyfishtë.

“Serbia vetë nuk jep të drejta të tilla as për shqiptarët, as për minoritetet e tjera në atë vend”.

“Madje as shqiptarët në Maqedoni, që nuk janë minoritet, por komunitet shtetformues, nuk kanë kaq të drejta as me Marrëveshjen e Ohrit, e cila edhe ashtu nuk është zbatuar”.

Për “diskriminimin e madh që po i bëhet Kosovës së vogël”, Molliqaj mendon se fajtor është edhe Bashkimi Europian.

“Së paku BE-ja ishte dashur të ishte e paanshme në këto negociata, por nuk ka qenë, sepse Serbinë e njeh kurse Kosovën jo”.

“Kosova i ka zhvilluar negociatat me BE-në dhe me Serbinë, pra me dy entitete që nuk e njohin Kosovën”.

“Delegacioni i Kosovës në Bruksel duhej të kërkonte ruajtjen e karakterit unitar të Republikës së Kosovës, dhe duhej të kërkonte njohje të Kosovës nga BE, si dhe ta kushtëzonte vazhdimin e negociatave me marrjen e njohjes nga Bashkimi Europian”.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje kërkon me çdo kusht ndaljen e funksionalizimit të kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka përpiluar një përmbledhje të pikave kryesore me të cilat Kosova ka përfituar nga pakoja e marrëveshjeve në Bruksel.

Sipas ekzekutivit kosovar, të gjitha marrëveshjet janë bërë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e shtetit tonë.

Në vazhdimësi dialoguesit kosovarë kanë deklaruar se kjo platformë marrëveshjesh e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në bazë të Qeverisë, Kosova ka avancuar pozicionin e saj karshi shteteve të tjera dhe ka shtuar përkrahjen e vendeve të fuqishme për integrimin e vendit në organizatat ndërkombëtare – Bashkimin Europian, NATO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Nënshkruesit e marrëveshjeve në emër të Kosovës thonë se ky pajtim me palën serbe i kontribuon edhe paqes, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal, duke iu dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë përmes strukturave paralele të cilat tashmë do të shkrihet në strukturat legale të Asociacionit.

Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohet me asnjërin prej këtyre shpjegimeve.

Dardan Molliqaj thotë se për këto marrëveshje ka opinion negativ nga i gjithë spektri politik në Kosovë, prandaj edhe Qeveria ka vendosur që të mos i sjellë fare në Kuvend për ratifikim, sepse i frikësohet stopimit që mund t’iu bëhet.

“Në Kuvend ka rezistencë ndaj Asociacionit. Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita tashmë e kanë provuar se mund t’i bllokojnë iniciativat e Qeverisë kundër Kosovës në Kuvend”.

Dërgimin e marrëveshjeve në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria ai e quan “akrobaci qesharake”.

“Ky argumentim nuk qëndron. Madje, ata janë kontradiktorë. Kur e kemi çuar marrëveshjen e 2013 në Kushtetuese, Kushtetuesja tha se nuk është në kompetencat e veta të shqyrtojë këtë marrëveshje. E tani po del se kjo marrëveshje u dashka çuar në Kushtetuese, por jo në Kuvend”.

“Ne e dimë se si funksionon Gjykata Kushtetuese në Kosovë, si vartëse servile e ekzekutivit”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dijë se Kosova nuk është stabile me këtë Asociacion. Ne nuk do ta ulim kokën për të pranuar gjithçka. Ky popull do të bëhet i paqeverisshëm nëse imponohet Asociacioni. Stabiliteti nuk mund të bashkëjetojë me poshtërsimin e një shteti dhe të një populli sado të vogël”.

Ai ka dhënë edhe alternativat se çfarë duhet të bëhet në këtë situatë.

“Janë dy mënyra: ose e ndalë kjo Qeveri dhe ne e mbështesim, ose e detyrojmë Qeverinë të japë dorëheqje me mjete demokratike, protesta dhe demonstrata”.

“Asociacioni duhet të ndalet – dhe do të ndalet”.

Pakoja e marrëveshjeve të arritura në Bruksel me 25 gusht 2015 përfshin katër marrëveshje: atë për kodin telefonik, për energjinë, vënien e parimeve themelore për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe akordimin për lëvizjen e lirë – heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër.

Ato janë nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dardan-molliqaj-asociacioni-eshte-fashist-nuk-do-te-lejojme-te-na-poshterojne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala