Dallaveret e Lutfi Hazirit në raportin e punës

Autori:Avdyl Pajaziti

Në raportin vjetor të punës së kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për vitin 2014, i miratuar nga Kuvendi Komunal opozita gjeti shumë dallavere.

Sipas degës së PDK në Gjilan për më shumë se një vit kryetari i komunës kishte deklaruar një të pavërtetë të madhe se ka gjetur 10 milionë euro borxhe të trashëguara, tani në raportin e tij të punës e ka pranuar përafërsisht realitetin se ka gjetur 4.1 milion euro, ndërsa ishin më pak se 2 milion euro.

Sipas PDK, Lutfi Haziri kishte deklaruar se për herë të parë janë thyer kufijtë buxhetor për komunën e Gjilanit, për 4.2 milion euro për vitin 2015. Edhe kjo tani doli e pavërtetë, sepse qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka bërë asnjë rritje të buxhetit komunal, por ka zvogëluar për 1.8 milion euro buxhetin komunal për investime kapital, pra i janë ndarë Gjilanit vetëm 1.2 milion euro për investime kapitale, njësoj sa komunës së Leposaviqit.

Kryetari i komunës në vazhdimësi është thirrur në “Dietën Buxhetore” në qeverisjen e tij komunale. Mirëpo në raport shihet qartë se në disa kategori ka rënie të shpenzimeve, mirëpo në disa të tjera kishte rritje të mëdha, e që në total ka pasur përafërsisht shpenzime të njëjta. Vetëm për shpenzime të telefonit (vala dhe telefon fiks), janë paguar 56 mijë euro, ku prej tyre janë paguar rreth 16 mijë euro borxhe të kaluara, që do të thotë se janë shpenzuar mbi 40 mijë euro, ndërsa gjatë tërë vitit kryetari i komunës kishte deklaruar se ka zero euro shpenzime për vala.

Poashtu për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, akomodim dhe mëditje, janë shpenzuar 26,255.83 euro, ku vetëm kryetari i komunës ka marr 3,640.28 euro për shpenzime dhe mëditje nëpër vende të ndryshme (SHBA, Gjermani, Strasburg, Shqipëri etj). Në raportin e tij të punës, ai askund dhe asgjë nuk ka përmendur ndonjë rezultat nga vizitat e tij jashtë vendit, sepse ato kanë qenë private dhe në shërbim të LDK-së, kur në Gjermani kishte qenë me Isa Mustafën për të lidhur koalicion me Hashim Thaçin, ai ka shpenzuar mbi 600 euro për mëditje dhe në hotele të Gjermanisë.

Gjatë vitit 2014, nga 109 tenderë, 79 prej tyre i ka dhënë pa procedurë të hapur dhe vetëm 30 prej tyre, ka shpallur procedurat e hapura të tenderimit. Dhe për këtë arsye OSHP (Organi i Shqyrtimit Publik) në Prishtinë, komunës së Gjilanit ia ka anuluar 14 tenderë në vlerë prej 3.4 milion euro, duke konstatuar shkelje procedurale dhe ligjit të prokurimit.

Sipas Riad Rashiti nga Partia Demokratike Kosovës, Dega në Gjilan, në raportin e punës së kryetarit për vitin 2014, nuk është paraqitur asnjë sukses apo e arritur e realizuar sipas premtimeve dhe zotimeve të bëra para qytetarëve të Gjilanit.

“Vlerësimet tona si opozitë ndaj kësaj qeverisje komunale, janë se ka pasur degradim në të gjitha institucionet komunale dhe sektorët qeverisës, e që Gjilani gjatë qeverisjes së PDK-së njihej për shumë të arritura dhe suksese, të vlerësuara nga mekanizma dhe institucione vendore dhe ndërkombëtare, të cilat i ndanë çmime të ndryshme dhe shpërblime financiare në shumë fusha. Ndërsa tani kjo gjendje ka ndryshuar totalisht për të keq, nuk ka asnjë vlerësim pozitiv për punën e institucioneve komunale nga asnjë mekanizëm ndërkombëtar”, ka deklaruar Rashiti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/dallaveret-e-lutfi-hazirit-ne-raportin-e-punes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala