Çollaku thotë se bujqësia do të përfitojë më së shumti nga MSA-ja

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), Kosova ka arritur të negociojë lirimin nga taksa doganore për eksportin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore të vendit, në tregun e 28 vendeve të BE-së.

Njëkohësisht është siguruar mbrojtje doganore për një periudhë tranzicionale për produkte të rëndësishme për sektorë të caktuar të bujqësisë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, sipas të cilit BE-ja do t’i heqë tarifat doganore për eksportin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore dhe të peshkut të Kosovës nga hyrja në fuqi e MSA-së, e cila është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe BE-së si dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. “Pra, janë rreth 2 mijë e 560 produkte bujqësore të cilat Republika e Kosovës mund t’i eksportojë në BE pa tarifë doganore që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes”, ka thënë Çollaku për KosovaPress.

Sipas tij, me marrëveshje, Kosova ka arritur të sigurojë rritje të kuotës për eksport të verës në BE nga 20 mijë hektolitër në 50 mijë hektolitër apo 5 milionë litra në vit.

“Një tjetër fakt pozitiv për eksportin e verës është se kjo kuotë tani e tutje është e garantuar, gjë që më herët ka mundur të ndryshojë në çdo kohë”, informon ai.

Ngjashëm, edhe për mishin e viçit dhe peshkun e llojit krap dhe troftë të Kosovës, BE-ja ka thënë se ka ofruar trajtim preferencial brenda kuotës së caktuar.

Në anën tjetër, ministri njofton se Kosova nëpërmjet MSA-së do të heq tarifën doganore për rreth gjysmën e produkteve bujqësore të BE-së, produkte këto të cilat aktualisht nuk prodhohen në Kosovë.

“Me këtë, qytetarët e Kosovës përfitojnë direkt ngase do të marrin produkte kualitative me çmime më të lira”, shton Çollaku.

Ndërsa, për një numër produktesh tregon se do të vazhdojë të ketë tarifë doganore e cila do të hiqet gradualisht brenda 5, 7 ose 10 vjetëve të ardhshme me qëllim të mbrojtjes së prodhuesve dhe fermerëve vendor.“Për më tepër, 14 produkte esenciale për fermerët tonë nuk janë përfshirë fare në marrëveshje, pra do të vazhdojnë të jenë të mbrojtura përgjatë gjithë kohës së zbatimit të marrëveshjes. Këtu hyjnë produktet si qumështi, lloje të kremës nga qumështi, lloje të jogurtit, patatet, mollët dhe disa verëra për të cilat vendi ynë do të vazhdojë të aplikojë tarifën doganore aktuale”, nënvizon ai.

Po ashtu bëhet e ditur se edhe dy produkte të peshkut, njëri lloj trofte dhe tjetri skumbri janë mbrojtur për një periudhë tranzicionale për 5 respektivisht 7 vjet për të siguruar mbrojtjen e prodhimit vendor.

Çollaku konsideron se kjo marrëveshje përveç anëve pozitive rreth liberalizimit tregtar, po ashtu do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e kualitetit dhe sigurisë së produkteve si dhe në mbrojtjen dhe autencitetin e prodhimeve vendore. Kjo ka thënë se arrihet përmes mbrojtjes së indikatorëve gjeografik të prodhimeve bujqësore të Kosovës. “Këto efekte vijnë nga zbatimi i standardeve dhe rregullave të origjinës që produktet duhet të plotësojnë për t’u eksportuar në vendet e BE-së. Në fakt, kjo do të ndikojë në mënyrë indirekte edhe në rritjen e marketingut dhe ‘branding’ të prodhimeve ‘Made in Kosova’ dhe përmes kësaj edhe në rritjen e eksportit dhe krijimin e vendeve të punës”, potencon ai.

Por në të njëjtën kohë, Kosova obligohet që të zbatojë dhe respektojë këto standarde në tregun e saj. Ministri Çollaku njofton se në kuadër të obligimeve përfshihet edhe mbrojtjen e të drejtave të markave tregtare, dizajnit dhe indikatorëve gjeografik të produkteve që vijnë nga vendet e BE dhe investimet që institucionet dhe kompanitë vendore duhet të bëjnë në zhvillimin e mëtejmë të standardeve të sigurisë dhe kontrollit të ushqimit në vend.

Ai bënë të ditur se me MSA, Kosova do të përfitojë nga bashkëpunimi me BE-në edhe përmes ekspertizës teknike dhe mbështetjes financiare në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agro-industrisë drejt modernizimit të sektorit, përmirësim të menaxhimit rural, të pyjeve dhe të ujitjes, si dhe drejt arritjes së standardeve sanitare të BE-së.

“Përfitimet në këtë aspekt pritet të jenë shumë pozitive për sektorin e bujqësisë në Kosovë marrë parasysh avancimin teknologjik dhe zhvillimin e këtij sektori në vendet e BE. Pra fermerët dhe prodhuesit vendor do të kenë mundësi të marrin përvojat dhe njohuri tekniko-teknologjike rreth metodave të avancuara të kultivimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore”, ka shpjeguar Çollaku ndër të tjera.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/collaku-thote-se-bujqesia-do-te-perfitoje-me-se-shumti-nga-msa-ja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala