Çollaku prezanton Programin e Bursave për Profesionistët e Rinj

Autori:Gazeta Fjala

Ministria e Integrimit Evropian, në fillim të vitit të ri akademik për studimet pasdiplomike shpalosi detajet për studentët që synojnë të jenë përfitues të Programit të Bursave për Profesionist të Rinj (Young Cells Scheme) për vitin akademik 2016/2017.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka bërë të ditur se përmes këtij programi të BE-së për bursa pasdiplomike i cili po shënon vitin e 11-të të veprimtarisë në Kosovë, për vitin e ardhshëm do të ndahen 20 bursa në tri fusha të studimit.

Ndërkaq për mbështetjen e 20 përfituesve të ardhshëm janë ndarë 1.5 milion euro, transmeton kp.

“Ministria e Integrimit Evropian, është siguruar që bursistët e ardhshëm të orientohen në sektorët që ndërlidhen me zhvillimin e vendit përkatësisht me agjendën evropiane. Kjo do të jetë mundësi e shkëlqyeshme për profesionistët e rinj të vijojnë studimet pasdiplomike në universitet më prestigjioze të Evropës dhe të kthehen e të kontribuojnë në administratën shtetërore për avancimin e agjendës evropiane. Pra ky projekt forcon administratën publike”, ka thënë Çollaku.

Çollaku ka potencuar se studentët kosovarë në ciklin e ri të ndarjes së këtyre bursave do të kenë mundësi të studiojnë në fushën e Administratës Publike dhe Studime Evropiane, në Ekonomi si dhe në Drejtën e BE-së.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Integrimit Evropian, procesi i përzgjedhjes së përfituesve të këtyre bursave është strukturuar në tre hapa.

Hapi i parë lidhet me procesin e para-përzgjedhjes së kandidatëve (kualifikueshmëria e aplikacioneve), që do të realizohet në periudhën janar-shkurt të 2016-ës.

Hapi i dytë përfshinë provimet me shkrim (testi i njohurisë së gjuhës angleze, testi mbi njohuritë rreth BE-së si dhe testi logjik-aritmetik dhe verbal), që do të realizohet gjatë muajit mars.

Ndërkaq hapi i fundit sipas të dhënave të MIE-së, përfshinë intervistimin e kandidatëve nga profesorët e universiteteve evropiane, do të realizohet gjatë prillit.

Deri më tani nga Programi i Bursave për Profesionist të Rinj në total janë dhënë mbi 246 grante.

Sipas MIE-së, përfituesit e bursave kanë studiuar në një sërë universitetesh që përfshijnë London School of Economics, University College of London, Sussex University, King’s College, Lancaster University, University of Manchester, University of Birmingham, University of Sheffield, College of Europe në Bruzh, Katholieke Universiteit Leuven, European Business School in Bruksel, Maastricht University, Utrecht University, Leiden University, Universidade Catolica Portuguesa, University of Hamburg, University of Bremen, Collegio Europeo di Parma, Central European University në Budapest, Sciences-PO Paris, ISAE – Touluse, EDHEC -Nice dhe SKEMA Business Schools në Francë, Post Graduate School of Laë në Riga, University of Tartu, Barcelona Graduate School of Economics, dhe shumë universitete tjera.

Nga 246 studentë që ishin pjesë e programit të bursave, rreth 85 për qind prej tyre, aktualisht punojnë në institucione të ndryshme shtetërore të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/collaku-prezanton-programin-e-bursave-per-profesionistet-e-rinj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala