Çollaku: MSA-ja vulos të ardhmen evropiane

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, e ka njoftuar zyrtarisht BE-në për gatishmërinë e Kosovës për ta nënshkruar MSA-në më 27 tetor. Në një prononcim për “Epokën e re”, ai ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje vulos të ardhmen evropiane të Kosovës. Sipas tij, ky moment do të shfrytëzohet si burim inspirimi për ta vazhduar rrugën e mëtejshme evropiane. “Nënshkrimi i MSA-s konfirmon dhe vulos të ardhmen evropiane të vendit. Tani e tutje nuk do të shtrohet pyetja se a do të bëhet Kosova shtet anëtar i BE-së, por sa shpejt do të ndodhë kjo? Prandaj varet shume nga puna dhe përkushtimi ynë për ndërmarrjen e reformave substanciale me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi. Jam i bindur se do ta shfrytëzojmë këtë momentum të krijuar si burim inspirimi për ta vazhduar rrugën tonë evropiane”, ka thënë Çollaku.
Ai ka bërë me dije se kjo marrëveshje do të shënojë një kthesë historike në mes të Kosovës dhe BE-së. Sipas tij, prej nënshkrimit të MSA-s procesi i integrimit evropian do të zhvillohet mbi baza praktike të zbatimit të obligimeve që ka marrë Kosova. “Nënshkrimi i MSA-s, përkatësisht lidhja e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shënon një kthesë pozitive dhe me rëndësi historike për vendin. Tani e tutje diskursi publik për procesin e integrimit evropian nuk do të zhvillohet mbi premisa të pakapshme dhe retorike, por do të zhvillohet mbi baza praktike të zbatimit të obligimeve që kemi marrë si vend dhe përfitimeve të prekshme që do t’i gëzojnë qytetarët e vendit”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo marrëveshje do të ketë ndikime edhe në aspektin politik. “Ndërsa në aspektin praktik, me nënshkrimin e MSA-s, Kosova avancon dialogun politik me BE-në, duke krijuar edhe mekanizma të përbashkët institucionalë për ta monitoruar zbatimin e MSA-s si dhe siguron masa preferenciale për prodhuesit vendorë për të eksportuar në një treg prej 600 milionë konsumatorësh pa tarifa doganore. Po ashtu, MSA-ja do të ndikojë drejtpërdrejt edhe për inkurajimin e investimeve të huaja direkte për shkak të zgjerimit të tregut”, ka thënë Çollaku.
Megjithatë, ai ka bërë me dije se pjesa kryesore e punës së institucioneve të Kosovës fillon me nënshkrimin e kësaj marrëveshje. “Si ministër përgjegjës për ta avancuar agjendën evropiane të vendit, dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët se procesi nuk mbaron me nënshkrimin e MSA-s, madje pjesa kryesore e punës dhe angazhimit tonë fillon këtu. Me MSA-në kemi arritur ta sigurojmë lëvizjen pa barriera tarifore të produkteve kosovare, ndërsa do të vazhdojmë maksimalisht ta sigurojmë shpejt edhe lëvizjen pa viza të qytetarëve të vendit në Zonën Schengen”, ka thënë Çollaku.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/collaku-msa-ja-vulos-te-ardhmen-evropiane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala