Çollaku i sigurt: Liberalizimi i vizave në 2016

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri për Integrime Europiane, Bekim Çollaku, është shumë i sigurt se qytetarët e Kosovës do ta marrin Liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian në vitin 2016.

Ai po qëndron në Bruksel së bashku me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçin, ku janë takuar me Presidentin e Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme Dimitris Avramopulos.

Pas këtij takimi ai thotë se tani më mund të thuhet se është e konfirmuar se kosovarët do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian.

“Edhe sot vazhduam me takime të rëndësishme të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve të BE-së në Bruksel. Ishte kënaqësi të takohemi dhe bisedojmë në takime të ndara me Presidentin e Komisionit Evropian z.Jean Claude Juncker dhe Komisionerin për Punë të Brendshme z.Dimitris Avramopulos”.

“Diskutuam për të gjitha çështjet e rëndësishme të interesit të përbashkët duke përfshirë zhvillimet aktuale në BE, situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Natyrisht, temë kryesore e takimeve ishte diskutimi dhe dakordimi lidhur me hapat e fundit procedural të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave”.

“Ndihem i inkurajuar nga mbështetja e ofruar dhe konfirmimi se jemi në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave. Pas këtyre takimeve ndihem shumë më tepër i sigurt se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016. Ky është një sukses tjetër krejtësisht i merituar”, ka shkruar Çollaku në Facebook.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/collaku-i-sigurt-liberalizimi-i-vizave-ne-2016/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala