Çohu reagon për dështimin e përzgjedhjes së auditorit për financat e partive politike

Organizata Çohu përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, për siç thonë ata dështimin për të përzgjedh auditorët për të audituar raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatave zgjedhore.
“Pasqyrat financiare vjetore për vitet 2013 dhe 2014 si dhe deklarimet financiare për shpenzimet gjatë zgjedhjeve lokale (2013) dhe atyre nacionale (2014), nuk janë publike pikërisht për shkak të dështimit për t’i audituar financat e partive politike”, shkruan Çohu transmeton Gazeta Fjala.
Sipas tyre, mungesa e këtyre të dhënave pengon transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike karshi qytetarëve dhe tregon për mungesë serioziteti nga ana e institucioneve publike për të siguruar qasje të plotë dhe të papenguar në pasqyrat financiare të subjekteve politike. / Gazeta Fjala/