Çmohet bashkëpunimi mes prokurorive Kosovë – Mali i Zi

Autori:Gazeta Fjala

Një delegacion i prokurorëve nga Kosova është duke marrë pjesë në shënimin e ditës së Prokurorisë Supreme të Malit të Zi.

Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit kanë diskutuar  për “Reformat e legjislacionit penal dhe rregullat e reja organizative.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Kosovës, Aleksandër Lumnezi ka thënë mbrojtja dhe zbatimi i sundimit të ligjit, vendoset para nesh si një ndër sfidat më të rëndësishme në shoqërinë moderne, transmeton Klan Kosova.

Kjo është komunikata e plotë e dërguar nga prokuroria e shtetit:

“Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit kanë diskutuar  për “Reformat e legjislacionit penal dhe rregullat e reja organizative”. Pjesëmarrësit, kanë vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht ndërmjet prokurorive në rajon, si të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Serbisë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka theksuar se Prokuroria e Kosovës ka marrëdhëniet të mira bashkëpunimi me Prokurorinë e Lartë të Malit të Zi.

Lumezi ka thënë se në ditët e sotme të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë, ballafaqohen me format më të rënda të dukurive kriminale të krimit të organizuar, Terrorizmit, Korrupsionit dhe të krimit ekonomik, të cilat edhe përmes bashkëpunimit kriminal ndërkufitarë, përhapin ndikimin e tyre negativ, sikurse në shoqëri ashtu edhe në minimin e themeleve të shteteve të rregulluara demokratike.

Në fjalën e tij të rastit, kryeprokurori Lumezi, potencoi se mbrojtja dhe zbatimi i sundimit të ligjit, vendoset para nesh si një ndër sfidat më të rëndësishme në shoqërinë moderne, sepse grupet e organizuara kriminale riformohen, transformohen dhe adaptohen në mënyrë efektive në çdo rrethanë të ndryshuar, të cilën e ndërmerr aparati shtetëror.

“Luftimi i këtyre dukurive kërkon bashkëpunim të ngushtë mes shteteve, gjegjësisht, institucioneve, të cilat mbrojnë dhe zbatojnë sundimin e Ligjit. Për këtë arsye  dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për të inkurajuar të gjithë të pranishmit se vetëm me një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë, të të gjithë prokurorive në regjion, mund të arrihen rezultate pozitive kur flasim për dukurit më komplekse  kriminale”, shtoi kreu i Prokurorisë së Shtetit.
Ai kujtoi faktin se institucioni i Prokurorit të Shtetit, i Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Supreme e Shtetit të Malit të Zi, kanë pasur gjithmonë marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë. “Kjo formë e bashkëpunimit ka rezultuar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit të datës 26 Qershor 2009 në mes Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Supreme të Shtetit të Malit të Zi”.

Fare në fund, kryeprokurori Lumezi, vuri në pah se, meqë Mali i Zi dhe Kosova aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, “këto dy institucione, në këtë drejtim realizojnë bashkëpunim përmes shkëmbimit të përvojave në aspektin e përmbushjes së kushteve dhe standardeve të Bashkimit Evropian,  e të cilat kanë të bëjnë me sektorin e Sundimit të Ligjit.”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cmohet-bashkepunimi-mes-prokurorive-kosove-mali-i-zi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala