Çmimi i ulët i naftës ndihmon kompanitë ajrore

Autori:Zekirja Shabani

Rënia e çmimit të naftës po dëmton kompanitë e naftës por po ndihmon kompanitë ajrore dhe shitjet e makinave. Megjithatë çmimet e ulëta të naftës nuk janë të mjaftueshme për të nxitur rritjen ekonomike globale.

Në të kaluarën, çmimet e larta të naftës i kanë çuar në falimentim disa kompani ajrore.

Kostoja e lëndës djegëse ka rëndësi sepse karburanti është shpenzimi më i madh i kompanive ajrore. Më shumë se një e treta e shpenzimeve të tyre lidhet me karburantin.

Për të mbijetuar, kompanitë ajrore shkurtojnë personelin dhe kosto të tjera. Një ekspert i kësaj industrie thotë se kompanitë fitojnë rreth shtatë dollarë për çdo pasagjer, nga disa miliardë njerëz që ata transportojnë në vit.

Zëdhënësi i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, Perry Flint thotë se çmimet e ulëta të karburantit janë një ndihmë e madhe për rritjen e fitimit të kompanive ajrore.

“Parashikimet tani janë pozitive, ne presim rreth 25 miliardë dollarë fitime në vitin 2015, një përmirësim prej rreth 19.9 miliardë dollarësh në krahasim me vitin e kaluar”.

Ulja e kostos së karburantit bën që konsumatorët të kenë më shumë para për të shpenzuar për gjëra të tjera. Kjo mund të jetë arsyeja pse Shoqata Kombëtare e Shitësve të Makinave thotë se në vitin 2014 konsumatorët amerikanë blenë më shumë makina se sa gjatë tetë viteve të mëparshëm.

Një ekspert i shitjeve thotë se çmimet e ulëta të karburantit kanë ndihmuar amerikanët të përballojnë çmimin e makinave që ata pëlqejnë më shumë.

Jack Fitzgerald është marrë me biznesin e shitjes së makinave që nga vitet 1950. Vitin e kaluar 1400 punonjësit e tij shitën 24 mijë makina.

“Ato janë makina të mëdha, djegin shumë, dhe janë popullore. Kur çmimi i karburantit bie, ato bëhen edhe më të kërkuara”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se çmimet e ulëta të naftës po stimulojnë ekonominë globale, pasi paratë që dikur shpenzoheshin për energjinë mund të përdoren për gjëra të tjera. Por rritja ekonomike është penguar edhe nga efektet e mbetura të krizës financiare, si nivelet e larta të borxhit dhe papunësisë.

Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde thotë se kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për rimëkëmbjen globale.

“Pavarësisht rritjes së nxitur nga rënia e çmimeve të naftës, dhe rritjes së ekonomisë amerikane, rimëkëmbja ekonomike globale vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha”.

Çmimet më të ulëta të naftës janë problem për kompanitë e naftës, dhe sipas njoftimeve të mediave, janë duke u anuluar projekte të ardhshme me vlerë miliarda dollarë. Ekspertë të industrisë thonë se nga shkurtimet do të rrezikohen projektet e shtrenjta ku kostoja e prodhimit mund t’i tejkalojë çmimet e tanishme dhe të pritshme të naftës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cmimi-i-ulet-i-naftes-ndihmon-kompanite-ajrore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala