Çka përfiton Kosova nga marrëveshjet e Brukselit?

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës ka bërë një përmbledhje (përmbledhje e pikave kryesore) siç i ka quajtur, të përfitimeve të Republikës së Kosovës nga pakoja e marrëveshjeve të Brukselit. Po e transmetojmë të plotë.

Pakoja e marrëveshjeve e arritur në Bruksel më 25 gusht 2015, përfshinë katër marrëveshje: marrëveshjen për kodin telefonik, heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe heqjen e barrikadës nga ura e Mitrovicës.

Marrëveshjet e arritura janë nënshkruar nga të dyja shtetet, Republika e Kosovës dhe e Serbisë dhe Bashkimi Evropian, përkatësisht nga Kryeministrat e të dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e bashkimit evropian. Këto marrëveshje si dhe gjithë të tjerat në Dialogun e Brukselit janë arritur në një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, të cilat njëherësh janë edhe garantuese të zbatimit të plotë të tyre nga të gjitha palët.

Kjo pako e marrëveshjeve është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit dhe Rezolutat e kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun e Brukselit.

Me këto marrëveshje, Republika e Kosovës ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të saj, si dhe ka avancuar pozicionin e sajë ndërkombëtar, duke fuqizuar përkrahjen ndërkombëtare për integrimin e shtetit të Kosovës në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera relevante. Marrëveshjet kontribuojnë për paqe, fqinjësi të mire dhe stabilitet rajonal duke i dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, përmes shuarjes së strukturat paralele në veri të vendit dhe heqjen e pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës. Marrëveshjet janë me dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve në shtetin tonë.

Përfitimet nga marrëveshjet në fjalë janë si në vijim:

Telekomunikacioni – kodi telefonik shtetëror për Kosovën

Kosova merr kodin telefonik shtetëror 383 nga ana e ITU ( Organizata ndërkombëtare për telekomunikacion)

Austria do të aplikoj në emër të Kosovës për të kërkuar që ITU t’ia ndajë kodin telefonik Kosovës.

Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera. Autoriteti rregullator i Kosovës (ARKEP) do të bashkëpunoj me ITU për realizimin e kodit telefonik.

Tash e tutje Kosova do të ketë vetëm një kod; të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 383.

Do të shuhen të gjithë operatorët ilegalë të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Do të ofrohet një lejim i përkohshëm për një fushë veprimtari të kufizuar për një kompani të re që regjistrohet sipas ligjeve të Kosovës. Kjo nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, sepse për një gjë të tillë duhet tenderim ndërkombëtar me konkurrencë shumëpalëshe ashtu siç përcaktohet me ligjet e Republikës së Kosovës. Ky lejim i përkohshëm për këtë kompani do të vlejë deri në hapjen e tenderit ndërkombëtar për operatorin e radhës.

Do të ketë një marrëveshje roamingu dhe interkoneksioni mes dy shteteve, përkatësisht mes operatorëve të telefonisë mobile të dyja shteteve, për të ulur çmimet e shërbimeve për qytetarët dhe rritjen e të hyrave të përgjithshme për vendin tonë. Zgjidhen pengesat për kalimin e transmetimit nga ai analog në atë digjital, ku Republikës së Kosovës i hapet rruga për ndarjen e kanaleve në pika të mjaftueshme të transmetimit për mbulim adekuat të tërë territorit të vendit pa pengesa dhe interferime.

Hapet rruga për arritjen e marrëveshjes teknike për shërbimet postare Kosova fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin e sajë ndërkombëtar dhe njohjen e saj në botë përmes kodit të sajë telefonik. Po ashtu, kjo Marrëveshje hap rrugën e anëtarësimit të Kosovës në ITU

Përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuohen mungesës së kodit, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit. Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Energjia – heqja e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes së energjisë

Kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin energjetik shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, kufi ky i përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për enegjinë. Rrjedhimisht, Serbia njeh shtetin e Kosovës në fushën e energjisë. Serbia ka pranuar të heq pengesat për vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes për energjinë dhe planit për zbatim.

Serbia është zotuar që të shuaj të gjithë operatorët e energjisë në veri të Kosovës, obligim ky të cilën e ka zvarritur që nga shtatori 2014 kur është nënshkruar plani për zbatim për energjinë Serbia ka pranuar që të heq kundërshimet e saja ndaj vendimit të ENTSO-E për pranimin e Kosovës/KOSTT si anëtare të saj të barabartë me shtetet e tjera, në pajtim me Marrëveshjen e energjisë.

Kosova/KOSTT është pranuar në ENTSO-E në maj 2015, mirëpo Serbia në shkelje të Marrëveshjes ka bërë një ankesë kundër vendimit të ENTSO për ta pranuar KOSTT. Tani me këtë marrëveshje Serbia detyrohet ta heq ankesën, duke hapur rrugë për konfirmimin final të anëtarësimit të KOST në EENTSO-E.

Anëtarësimi i KOSTT ne ENTSO konfirmon njohjen sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës në fushën e transimisionit të energjisë, duke njohur Kosovës si bllok mëvetësishëm rregullues të sistemit enegjetik ndërkombëtar. Marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrjeje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.

Në këtë marrëveshje Serbia ka njohur denominimin Republika e Kosovës si dhe ka hequr dorë nga insistimi i përdorimit të fusnotës në dokument, ku ka vënë nënshkrim edhe kryeministri i Serbisë.

Përfitimet ekonomike të Kosovës janë të mëdha, sepse Serbia do të detyrohet të paguaj kompensime për shfrytëzimin e linjave transemtuese energjetike të Kosovës si dhe për kongjestionet e krijuara, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe evropiane të energjisë për bashkëpunim mes të shteteve në fushë e transmisionit. Sipas llogarive të përafërta përfitimet vjetore do të jenë në miliona euro.

Asociacioni

Marrëveshja për parimet themelore për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit.

Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës.

Asociacioni do të jetë një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe, që vepron në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila do të ndihmojë komunat në realizimin e çështjeve lokale.

Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave anëtare të sajë, sepse në bazë të ligjeve të Kosovës komunat kanë kompetenca ekskluzive në çështjet lokale dhe se këto kompetenca nuk mund të transferohen te Asociacioni.

Asociacioni nuk do të ketë shërbyes civil por vetëm punonjës të zakonshëm. Asociacioni nuk mund të ofroj shërbime për qytetarët por vetëm për komunat anëtare të sajë.

Ligjet e Kosovës lejojnë krijimin e më shumë asociacioneve për komunat në shtetin e Kosovës, prandaj krijimi i këtij asociacioni është në pajtim me ligjet e shtetit tonë dhe Kartën Evropiane për pushtetin lokal.

Përmes kësaj marrëveshje shteti i Kosovës e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kushtetuta e përkufizon sistemin politik të Kosovës me dy nivele të qeverisjes, qendrore dhe lokale. Serbia ka pranuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të themelohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore e Republikës së Kosovës, ajo mund të përfitoj nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm njëjtë siç mund të përfitojë asociacioni ekzistues i komunave të Kosovës.

Asociacioni do t’i nënshtrohet ligjeve të auditimit dhe prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim dhe shpenzim i saj do të jetë në kuadër të dispozitave të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Asociacioni nuk ka karakter njëetnik ngase është asociacion i komunave me shumicë serbe e në të cilat në bazë të të dhënave zyrtare jetojnë dhe përfaqësohen edhe rreth 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë pra shqiptarë por edhe komunitete tjera. Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e asociacionit, e njëjta vlen edhe për simbolet e tij që duhet të jenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe të reflektojnë karakterin shumetnik të tij.

Sipas dokumentit të parimeve, asociacioni do të kontribuojë për integrim të plotë të serbëve në sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës dhe me këtë rast do të shuhen të gjitha strukturat lokale paralele të Serbisë në shtetin e Kosovës. Organet e këtij asociacioni do të jenë të njëjta me ato të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe si i tillë ky asociacion nuk do të kryej funksione tjera përveç atyre që ia përcaktohen me ligjet e Kosovës. Roli i tij do të jetë vetëm në përfaqësimin dhe lehtësimin e funksionimit normal të komunave me shumicë serbe. Asociacioni mbron dhe promovon interesin e anëtarëve të saj. Në raport me institucionet qendrore promovon edhe te drejtat e komuniteteve. Mbrojtja dhe promovimi i tyre është edhe interes i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të gjitha përgjegjësitë dhe objektivat e Asociacionit janë të kufizuara në vështrime të përgjithshme për çështjet lokale, pa pasur mundësi që të marrim autorizime për menaxhimin e tyre apo të ndikojë në funksionimin normal të autoriteteve publike në nivelin qendror apo lokal të Republikës së Kosovës; Autoriteti publik mbetet në Qeverinë e Republikës së Kosovës apo të komunave varësisht nga lloji i kompetencave publike.

Asnjë vendim i Asociacionit nuk mund të jetë obligator për komunat anëtare të sajë. Komunat kanë kompetencat dhe përgjegjësitë e dhënë me ligj dhe për ofrimin e tyre këto përgjigjen në kuadër të sistemit të mbikëqyrjes administrative nga Qeveria e Kosovës në pajtim me ligjin.

Anëtarësimi i komunave në Asociacion bëhet në bazë vullnetare siç është edhe dalja prej tij. Pra, përfundimisht, është fjala një organizatë e karakterit vullnetar siç është promovuar edhe me Kartën Evropiane për qeverisje lokale.

Asociacioni mund të bëhet pronare e pasurisë së luajtshme apo paluajtshme në kushtet dhe rregullat e njëjta sikurse që ka edhe Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës, por në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronarë i pasurisë publike të Kosovës qoftë të pronësisë në nivelin qendror apo lokal. Asociacioni nuk do të ketë asnjë rol në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës.

Asociacioni mund të jetë i liruar nga taksat në pajtim me ligjet përkatëse të Kosovës që e rregullojnë këtë çështje. Asociacioni përfaqësohet nga organet e saj brenda dhe jashtë Kosovës njëjtë sikurse edhe asociacioni ekzistues, në pajtim me ligjet e Kosovës.

Heqja e barrikadës nga Ura e Mitrovicës

Me 15 tetor hiqet barrikada (“parku i paqes”) nga ura e lumit Ibër në Mitrovicë nga ana e BE-së. Revitalizimi i Urës realizohet dhe financohet nga BE-ja, sipas një plani të dakorduar simetrik në të dyja anët e lumit Ibër. Ura do të hapet për automjete dhe këmbësor jo më larg se fundi i qershorit 2016.

Kjo marrëveshje i jep fund ndarjes së Mitrovicës, sepse 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kjo urë prej një ure ndarëse do të jetë një urë bashkimi për qytetarët, qytetin dhe Kosovën.

Po ashtu, kjo marrëveshje i jep fundit ndërtimeve të egra dhe pretendimeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike në fshatrat e Suhadolit dhe Kroit të Vitakut, duke i dhënë mbështetje Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Planin e Zhvillimit Komunal mes MAPH dhe dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës, në pajtim me hartat e linjave administrative të zonave kadastrale të të dyja fshatrave, të përcaktuara me ligjet e Republikës së Kosovës BE dhe Grupi Punues do të montirojnë rregullisht së bashku me dy kryetarët e komunave gjendjen politike dhe sigurisë gjatë procesit të revitalizimit

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cka-perfiton-kosova-nga-marreveshjet-e-brukselit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala