Çka pas nënshkrimit të MSA ?

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova do të jetë më afër integrimit në BE përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, shkruan Global risk insights, por çka nënkupton kjo për marrëdhëniet rajonale dhe gjendjen e përgjithshme të ekonomisë kosovare?

Nënshkrimi i shumëpritur i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) të Komisionit Evropian, më 27 tetor 2015, ka shënuar një ditë të rëndësishme jo vetëm për ambiciet e Kosovës për tu anëtarësuar në BE, por gjithashtu për partnerët dhe kundërshtarët e saj rajonal, transmeton Republika.info.

Ministri i Integrimit Evropian në Kosovë, Bekim Çollaku, theksoi në një konferencë për shtyp se ky nënshkrim “është një moment historik për Kosovën pasi që për herë të parë përcakton marrëdhëniet kontraktuale me BE-në”. Ai ka të drejtë, shkruan Global risk insights, por çka nënkupton kjo në të vërtetë për mirëqenien e Kosovës?

MSA-ja në praktikë

“MSA-të është pjesë e Procesit të Stabilizim Asociimit (PSA) dhe Politikës Evropiane të Fqinjësisë (PEF) dhe shërben si një hap përpara për secilin vend që dëshiron të anëtarësohet në BE. Kosova ishte i vetmi vend në rajon që nuk kishte nënshkruar akoma MSA-në. Kosova ka qenë duke pritur këtë moment që nga fillimi i bisedimeve në vitin 2000 dhe për arsye të mirë.

Kjo marrëveshje jo vetëm që shërben si simbol i integrimit dhe bashkëpunimit në rritje ndërmjet dy subjekteve politike, por do të përmirësojë në mënyrë thelbësore ekonominë kosovare, duke i dhënë Prishtinës më shumë qasje në partnerët e saj tregtarë evropianë dhe duke e integruar atë më tej në një treg të vetëm.

Në fakt, Neni 98 thotë se MSA-ja ‘duhet të fokusohet në mbrojtjen e investimeve të huaja direkte dhe duhet të synojë të sjellë një klimë të favorshme për investimet private, qoftë vendore apo të huaja, të cilat janë thelbësore për revitalizimin ekonomik dhe industrial të Kosovës.

Siç mund të shihet, iniciativat e tilla jo vetëm që lehtësojnë arritjen e progresit nga një vend, por gjithashtu shërbejnë si një standard që rrit shumë besimin e investitorit, e cila në anën tjetër do të nxisë Investimet e Huaja Direkte dhe konkurrueshmërinë.

Në fakt, Kosova ka shumë potencial për rritje. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka numrin më të lartë të popullsisë së re në Evropë me më shumë se 70% të popullsisë nën moshën 35 vjeçare. Me shumicën e popullsisë që flet gjuhën Angleze dhe Gjermane, Kosova është një vend shumë atraktiv për rritjen e biznesit në fushën e TI-së dhe komunikimeve, teknologjisë, ndërmarrësisë, biznesit dhe prodhimit”, transmeton Republika.info.

Përpunimi i numrave

“Marrëveshja e Kosovës me tregjet e BE-së ka kontribuar me gjithsej 29.9% të eksporteve në Shtetet Anëtare të BE-së në gusht të vitit 2015 – një rritje prej 11.8% nga e njëjta periudhë nga viti i kaluar dhe ky është një përmirësim i shënuar. Megjithatë, Kosova po përjeton një deficit tregtar në rritje që duhet të mbyllet për të pasur sukses.

Deficiti tregtar i Kosovës arrin një mesatare prej -139,809.09 mijë Euro nga viti 2003 deri në vitin 2015. Tri grupet e saja më të mëdha të eksportit janë metalet bazë (40.5%), produktet e përgatitura ushqimore, pijet dhe duhani (17.6%), si dhe produktet minerale (16.1%).

Por si rezultat i nënshkrimit të MSA-së, Kosova do të jetë në gjendje të blejë lëndën e parë në çmime më të përballueshme, e cila do të nxisë reforma të mëtejshme ekonomike dhe politike në vend.

Si një ekonomi e re dhe në zhvillim, Kosova ka tendenca ta realizojë biznesin e saj më të madh me fqinjët e saj. Partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë jashtë BE-së janë Serbia (13.3%), Shqipëria (12.4%) dhe Maqedonia (9.2%) – të cilët në kombinim arrijnë 34.9% të aktivitetit të kombinuar tregtar.

Diversifikimi dhe fuqizimi i marrëdhënieve tregtare është thelbësor për bilancin e përmirësuar të gjendjes të Kosovës. Pavarësisht deficiteve, këto shifra janë caktuar që të përmirësohen si rezultat i drejtpërdrejtë nga nënshkrimi i MSA-së. Por nuk mund ta parashikojmë se sa do të jetë përmirësimi i tyre”, shkruan Global risk insights, transmeton Republika.info.

Kundërshtimi i pritur

“Nënshkrimi i MSA vjen si rezultat i drejtpërdrejtë jo vetëm nga përmbushja e kritereve të veçanta ekonomike dhe politike, por gjithashtu edhe nga marrëdhëniet e përmirësuara me Serbinë. Viti 2013 ka shënuar marrëveshjen e fundit të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet dy kombeve, ku të dyja anët (ndër të tjera) dakordohen që të mos i bllokojnë përpjekjet e njëra tjetrës drejt anëtarësimit në BE.

Kjo lëvizje vjen si një zhvillim i padëshirueshëm për Beogradin dhe kjo nuk është surprizë. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vučić, mund të ketë pakënaqësi personale në këtë zhvillim të ri ndërmjet Kosovës dhe BE-së, por nuk mund të presim të shohim rezistim të drejtpërdrejtë nga institucionet Serbe – ajo duhet të tregojë një anë progresive për të çuar përpara ambiciet e saja për në BE.

Në fakt, data e zgjedhur për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën me gjasë që është një lëvizje strategjike nga BE-ja pasi që në të njëjtën kohë është nikoqire e negociatave për anëtarësim të Beogradit. Vučići dhe ekipi i tij do të jenë të zënë duke mbledhur dëshmi se pse Serbia meriton anëtarësimin në familjen e BE-së, në vend që të kundërshtojnë hapur MSA-në në Kosovë.

Në fakt, ndoshta shenja më e dukshme e rezistimit ka ardhur nga Spanja, e cila (sikur vendet tjera anëtare të BE-së, duke përfshirë Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë) nuk e njeh (akoma) pavarësinë e Kosovës. Kjo është njëra nga arsyet kryesore se pse MSA-ja e Kosovës do të nënshkruhet në mënyrë bilaterale ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cka-pas-nenshkrimit-te-msa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala