Çka lexojnë kosovarët?

Autori:Zekirja Shabani

Amazon” dhe “New York Times” kanë publikuar listën e librave më të shitur që nga fillimi i vitit 2015. Në këto lista figurojnë mbi 20 libra më të shitur të vitit 2015.

“Kjo listë fillon me një libër nga autorja amerikane Harper Lee, e cila librin që figuron në listën e librave më të shitur në këtë periudhë kohore, “Go set a watchman”, e ka shkruar në moshën 88-vjeçare. Autorja Lee në këtë klasifikim nuk gjendet vetëm me një libër, sepse edhe libri i saj “To kill a mockinbird” ka thyer rekorde të lexueshmërisë në të gjithë botën. Nga ana tjetër autori amerikan, i cili ka fituar çmim Pulitzer në këtë listë gjendet me librin “All the lights we cannot see”, libër ky i botuar në maj të vitit 2014. Ndërsa autorja Paula Hawkins e cila në këtë listë gjendet me librin “The girl of the train” libër ky që ka arritur të futet në lista të ndryshme të librave më të shitur në botë, e sidomos në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.

Prin “Fifty Shades of Grey”

Një prej librave që gjithashtu ka arritur të shkaktojë një numër të madh të polemikave, por njëkohësisht edhe një prej librave më të shitur në botë është “Grey” apo i njohur ndryshe si “Fifty Shades of Grey” që ka arritur të shesë miliona kopje në mbarë botën. Ndërsa, Daniel James Brown është autor amerikan i cili karrierën e tij e ka filluar me librin “Under a flaming sky”, ndërsa në këtë listë gjendet me librin “The boys in the boat”, i cili ka arritur deri tani të shesë një numër të madh të kopjeve në botë dhe për këtë arsye e mban edhe epitetin “best seller”. Një libër tjetër që ka bërë një bujë të madhe është edhe libri që në pamje të parë tërheq vëmendje, është ky libri që nuk do fotografi, pra ka titullin “The book without pictures” nga autori B.J Novak.

Kjo listë plotësohet edhe me libra të tjerë të cilët kanë arritur që të thyejnë kufijtë e vendeve të tyre, kanë depërtuar edhe në zona më të vogla të botës. Rast tipik është libri “American Sniper” nga autori Jim de Felice, libër ky i cili është realizuar edhe si film. Gjithashtu “The English Spy” i cili është publikuar në fund të qershorit të këtij viti ka arritur të zërë një vend në listën e librave më të kërkuar në botë.

Te ne, autorët shqiptarë

Këta libra hyjnë edhe në preferencat e shqiptarëve sepse shumica e këtyre librave gjenden edhe në Kosovë dhe qytetarët kanë shprehur një interesim mjaft të madh për të blerë disa prej këtyre librave. Në shtëpitë botuese në Kosovë gjithashtu ka një kërkesë të madhe për libra nga autorë shqiptarë, rast tipik është autori Albatros Rexhaj me librin e tij “Zonja Z”. Në listën e librave shqiptarë më të shitur janë edhe librat “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret” nga Blendi Fevziu, “Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare. Ndërsa nga autorë të huaj ka preferenca të ndryshme, por librat që janë kërkuar më së shumti në këtë periudhë kohore janë: “The fault in our stars” nga autori John Green, “Gjuetari i balonave” nga autori Khaled Hosseini, “Shkelja e kurorës” nga Pablo Coelho, “Qytete letre” nga John Green, “Alkimsti” nga Pablo Coeho etj.

“Frozen”, libri i fëmijëve

Në vitin 2014 librat që kanë arritur të shesin miliona kopje në mbarë botën kanë qenë “The fault in our stars” nga John Green, “Divergent” nga Veronika Ruth, që të dy këta libra janë bërë edhe filma nga produksione të ndryshme dhe kanë arritur që edhe si filma të korrin sukses të madh. Një libër tjetër që ka pasur epitetin e një prej librave më të shitur në botë dhe që ka arritur që edhe si film të kapë majat e suksesit është edhe libri-filmi “Gone Girl” nga Gillian Flyn që ka arritur të shesë 411 mijë kopje që në muajin e parë të botimit.

Nga ana tjetër edhe fëmijët këtë vit kanë pasur filmin/ librin e tyre të preferuar të titulluar “Frozen”, i cili ka arritur të shesë 499 mijë kopje në mbarë botën, sepse është përkthyer në disa gjuhë.

Kërkohet Kadareja dhe Kongoli

Sipas faqes “Shtëpia e Librit” librat më të shitur tek lexuesi shqiptar janë “Gruaja e fotografit” nga Enkelejd Lamaj, “Ahmet Zogu, presidenti qe u be mbret” nga Blendi Fevziu, “Pallati i Ëndrrave” nga Ismail Kadare, “Tregime te moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli, “Darka e gabuar” nga Ismail Kadare, “Princi i vogël” nga Antoine De Saint-Exupery, “Ne të tre” nga Fatos Kongoli, “Lëkura e Qeni” poashtu nga Fatos Kongoli, “Prilli i thyer” nga Ismail Kadare dhe “1984” nga George Orwell. /Zeri

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cka-lexojne-kosovaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala