Çitaku ndjehet e nderuar te Obama

Autori:Avdyl Pajaziti

Vlora Çitaku, tashmë edhe zyrtarisht është ambasadore e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një foto të takimit të sotëm me presidentin amerikan, Barack Obama, kur edhe dorëzoi letrat kredenciale në Shtëpinë e Bardhë.

Çitaku e ka shoqëror fotografinë duke përshkruar përjetimin që kishte në takimin e saj me Obamën.

“E nderuar”, ka shkruar lartë fotos, diplomatja kosovare.

Sot gjatë ditës burime të emisionit Info Magazine, në Klan Kosova, kanë raportuar se Çitaku do të pritej në audiencë private nga presidenti Obama, për t’i dorëzuar letrat kredenciale.

Ajo deri më sot shërbente si konsulle në New York, derisa në të kaluarën ka qenë edhe ministre për Integrime Evropiane dhe zëvendësministre e Jashtme e Kosovës.

Çitaku bëhet ambasadorja e tretë e Kosovës në SHBA, pas Avni Spahiut dhe Akan Ismajlit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/citaku-ndjehet-e-nderuar-te-obama/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala