Cilët njerëz të politikës kanë uzurpuar bordet?

Autori:Avdyl Pajaziti

Emërimi i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike nga Qeveria e Kosovës po realizohet përmes “pazareve” politike ndërmjet partive politike në pushtet. Pavarësisht kualifikimit apo kritereve të kërkuara në konkurs, punësohet ai që preferohet nga ekzekutivi apo kryetarët e komunave, varësisht se në cilin rajon gjendet ndërmarrja.

Gazeta “Zëri” ka gjetur se shumica e anëtarëve të bordeve janë pjesëtarë të dy partive në pushtet, LDK-së e PDK-së. Mërgim Lushtaku, djali i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, është emëruar anëtar i Bordit në ndërmarrjen “Iber Lepenc”.

Në këtë kompani Qeveria e ka rehatuar edhe Albiona Malokun, e cila është motra e Vlora Dumoshit, shefes së Protokollit të kryeministrit Mustafa. Emra politikë janë përzgjedhur edhe në Bordin e Postës së Kosovës ku janë emëruar Halit Isufi, Mejdi Gjokli, Hysen Fazliu, Branisllav Nikoliq, Metije Jashari dhe Rushan Ceka. Gazeta ka gjetur se Rushan Ceka vjen nga partia e Hashim Thaçit dhe ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Kaçanikut, në kohën e kryetarit, Xhabir Zharkut.

Në Bordin e Aeroportit të Gjakovës janë përzgjedhur Naser Canolli, Brikena Kryeziu, Nora Gola, Nuri Bahtjari, Zenun Shala dhe një pozicion mbetet për më vonë që të plotësohet me një përfaqësues nga komunitetet. Naser Canolli ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës në vitin 2013, ndërkaq Nuri Bahtjari ka qenë kandidat i PDK-së në zgjedhjet lokale për Prishtinën nga radhët e PDK-së; Zenun Shala ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Junikut në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Për Bordin e Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” janë përzgjedhur Njazi Selmanaj, Enver Aruqaj, Fëllënza Xhelili, Millosh Dimiq, Milazim Bytyqi dhe Nexhat Dedija..

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cilet-njerez-te-politikes-kane-uzurpuar-bordet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala