CIA synon ta kontrollojë motin

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëse shiu s’ndalet, fajin e kanë rusët ose amerikanët. Kështu na ka shkuar mendja ndonjëherë.

Po çka nëse kjo ishte e vërtetë?

Në fushën e armëve të shkatërrimit masiv, asnjë nuk do të matej me një katastrofë të madhe natyrore.

Sipas zyrtarëve të Inteligjencës amerikane, mjetet e manipulimit të klimës, të imagjinuara për të luftuar shkatërrimet që mund t’i shkaktojnë ndryshimet klimatike, mund të përdoren edhe për qëllimin e kundërt: për të përmbytur, për të tharë, shkatërruar…

Dhe, ata e dinë fort mirë se për çfarë po flasin.

Aktualisht, CIA është duke hulumtuar rreth kësaj çështjeje dhe e ka shumë zor ta fshehë.

Mirëpo, shqetësimi i saj është i qartë: çështja nuk është nëse mund të kontrollohen elementet, por kush është në gjendje ta bëjë këtë e sidomos si të bëhet që Shtetet e Bashkuara të fitojnë?

Një telefonatë misterioze

Është një profesor i Rutgers University, në New Jersey, Alan Robock, ai që e ka zbuluar këtë fshehtësi, gjatë konferencës vjetore të American Association for the Advancement of Science, raporton “Daily Mail”, shkruan gazeta “Zëri”.

“Konsultues që punojnë për CIA-n më kanë telefonuar për të më pyetur nëse ne mund të jemi në gjendje të dimë nëse dikush tjetër e kontrollon klimën botërore. Sigurisht, ata kanë pyetur po ashtu: E nëse ne do ta kontrollonim klimën e të tjerëve, a do ta dinin ata?”.

Shkencëtari u është përgjigjur atyre se përdorimi në shkallë të gjerë të teknikave të gjeo-inxhinierisë do të mundë të vërehen. Mirëpo, ndërhyrjet e tilla, nëse do të zbuloheshin, do të çonin në një konflikt të ri botëror.

“Nëse ndonjë vend dëshiron të kontrollojë klimën, që një tjetër nuk e dëshiron, ose nëse përpiqen të rrëzojnë avionë… Pasojat mund të jenë të tmerrshme”, ka vlerësuar ai.

Dy precedentët amerikanë

Në vete, ideja për ta shndërruar motin në armë nuk është  e re. Tashmë, më 1959, E. P. Jacobs e imagjinonte në një album të Blake & Mortimer, SOS meteorët, se një pushtues po e manipulonte klimën për ta pushtuar Evropën.

Sa i përket CIA-s dhe ushtrisë së SHBA-së, Alan Robock ka përkujtuar dy precedentë, të dy jorusë, por amerikanë, të përdorimit të klimës si armë: gjatë luftës së Vietnamit, shkencëtarët amerikanë mbillnin retë në mënyrë që shiu të ngadalësonte përparimin e forcave kundërshtare.

Në Kubë, CIA ka vepruar njëjtë në mënyrë që shiu të shkatërronte të mbjellat me kallam sheqeri, prandaj edhe ekonominë e ishullit.

Që prej atëherë, koncepti i bio-inxhinierisë ka evoluuar shumë: sot flitet për riorientimin e rrezeve të diellit drejt kësaj ose asaj pike të globit përmes pasqyrave të vendosura në orbitë.

Profesori Robock ka zbuluar edhe një fakt më tronditës: financimin nga CIA të një raporti kushtuar gjeo-inxhinierisë, i publikuar javën e kaluar nga Akademia Kombëtare Amerikane e Shkencave.

Problemi i vetëm: ajo nuk dëshironte që kjo të merrej vesh.

Mirëpo, në listën e “sponsorëve” të këtij studimi përmendet “komuniteti i Inteligjencës amerikane”.

Një projekt i ri “Manhattan”

“CIA është një financues i madh i raporteve të Akademisë Kombëtare”, thekson profesori Robock, dhe unë jam i brengosur sa i përket çështjes së kontrollit”.

Shkencëtari thotë se ndihet i frikësuar pas thirrjes që ka marrë nga CIA: “Unë kam kuptuar shumë gjëra të tjera të kryera nga CIA në kundërshtim me rregullat. Dhe, unë nuk dëshiroj që kështu të përdoren taksat e mia”.

Sipas tij, “hulumtimet e tilla duhet të jenë të hapura dhe ndërkombëtare, në mënyrë që të mos mendohet se ato po përdoren për qëllime armiqësore”.

Dhe nëse një projekt i ri “Manhattan”, kësaj here meteorologjik e jonuklear, do të ekzistonte vërtet, përgjegjësia e shkencëtarëve, zbulimi i të cilëve do të përdorej kështu, do të ishte po aq e rëndë sa ajo e shpikësve të bombës atomike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/cia-synon-ta-kontrolloje-motin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala