Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk u hap në bisedimet e Brukselit

Kosova është e pafuqishme përballë Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar qytetarët e saj të pagjetur që nga lufta.
Me gjithë premtimet e Qeverisë së Kosovës se kjo çështje do të jetë temë e bisedimeve, asnjëherë të vetme kryeministrat Thaci – Daçiq, e as tash Mustafa – Vuçiq nuk e hapën këtë temë në Bruksel, raporton KTV.
Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, thotë se kjo ka ndodhur për faktin se faktori ndërkombëtar nuk ka lejuar që çështja e normalizimit të rëndohet me të pagjeturit.
Të paktën ky është versioni që Gjetajt ia kanë dhënë kryeministrat e Kosovës.
Ndryshe, Komisioni është ankuar edhe te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq se Serbia vazhdimisht ndërron lokacionet ku dyshohet për varreza masive, me faktin se gërmon në lokacione të gabuara.
Komisioni ka bërë të ditur se janë në përfundimin e një memorandumi për krijimin e një liste të përbashkët rajonale për të pagjeturit, por kanë hasur në vështirësi, pasi Beogradi nuk po lejon që Kosova të jetë e përfshirë si shtet.
Lista rajonale do të përfshijë Kroacinë, Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, transmeton Koha.net.
Me këtë të fundit Kosova do të lidhë edhe një marrëveshje të tillë, e cila ka synim intensifikimin dhe zbardhjen e fatit të secilit person që mungon, si pasojë e luftërave në Ballkan.