Çeku i thotë Qeverisë: Ruajë 24 milionë eurot e veteranëve

Derisa nuk e dinë se sa kohë do t’u marrë shqyrtimi i rreth 20 mijë ankesave që kanë pranuar për procesin e verifikimit të statusit të veteranëve, invalidëve, dëshmorëve, pjesëmarrësve dhe të internuarve të UÇK-së dhe se kur pritet të publikohen listat përfundimtare të këtyre kategorive, përfaqësues të Komisionit qeveritar, të ngarkuar për verifikim, kanë thënë se do të kërkojnë nga kryeministri dhe ministri i Financave që me rishikim të buxhetit të mos rialokohen 24 milionët e ndarë për realizimin e të drejtave të këtyre kategorive për vitin 2015.
Kryetari i Komisionit, Agim Çeku, ka thënë se për çështjen e buxhetit kanë kërkuar një takim me kryeministrin, Isa Mustafa.
“Ne të hënën e kësaj jave kemi kërkuar një takim me kryeministrin, unë si kryetar i Komisionit dhe shefi i Sekretarisë, jemi në pritje që të na pranojë kryeministri dhe që ky buxhet të mos ndryshohet me rishikimin e tij që bëhet në fund të këtij muaji”, ka thënë Çeku.
Për realizimin e të drejtave që përcaktohen me Ligjin mbi veteranët, Çeku ka thënë se nevojitet edhe nxjerrja e një Udhëzimi administrativ. “Do të flasim për buxhetin dhe çështjen e një udhëzimi administrativ që Qeveria duhet ta nxjerrë. Nëpërmes tij Qeveria duhet t’i përcaktojë rregullat, kriteret e mënyrën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm e të tjera. Nuk do të thotë që varet nga Komisioni, edhe po të kryhet sot puna nga ne pa e pasur një Udhëzim nga Qeveria nuk mund të fillojë realizimi i këtyre të drejtave”, ka thënë ai