Caktohet data se kur do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në një mbledhje të gjatë prej gati rreth dy orësh ka vendosur që seanca e ardhshme plenare të mbahet të hënën e javës së ardhshme në ora 10:00.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që këtë javë të mos ketë seancë. Ajo do të mbahet të hënën e javës së ardhshme, më datë 30 nëntor me fillim nga ora 10:00.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes ka folur edhe për seancën e kaluar, ku ka thënë se deputetët janë sulmuar me koktej molotovi dhe gaz lotsjellës.

Ai ka thënë se këto sjellje nuk i ndihmojnë askujt.

“Duhet ndaluar këto sjellje që po krijojnë imazh të keq për vendin”, ka thënë Veseli.

Ai ka folur edhe për mundësinë e dialogut për të dalë nga kjo situatë, por sipas tij ka më shumë se dy muaj që po kërkohet komunikim, e i cili po refuzohet nga opozita.

“Ne nuk do të provokojmë asnjë herë. Kthehuni në Kuvend dhe të vazhdojmë punën”, ka thënë ndër të tjera kryetari Veseli.

Ai ka thënë se mirëpresin çdo iniciativë e cila do t’i jepte fund krizës, duke përmendur këtu edhe atë të propozuar nga deputetët Ilir Deda dhe Vjosa Osmani.

Ndërsa për protestën e opozitës të caktuar për datën 28 nëntor në Ditën e Flamurit, Veseli ka thënë se kjo tregon edhe pafuqinë e tyre, raporton lajmi.net.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/caktohet-data-se-kur-do-te-mbahet-seanca-e-radhes-e-kuvendit-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala