Buxheti për shkencë do të rritet

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar konferencën shkencore vjetore “Java e Shkencës në Kosovë- 2015”, e cila ka filluar sot punimet në Prishtinë, e ku do të prezantohen rreth 280 punime shkencore nga të gjitha fushat nga 600 autorë dhe koautorë nga Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës.
Ministri Bajrami, i cili i hapi punimet e “Javës së Shkencës”, tha se kërkimi dhe hulumtimi shkencor janë një element i rëndësishëm i zhvillimit dhe progresit të secilit shtet. “Java e Shkencës është një mundësi e shkëlqyeshme për të parë kontributet e shkencëtarëve të rinj, për të promovuar shkencëtar të rinj dhe për të nxitur hulumtimet shkencore”.

“Java e Shkencës”, tha ministri Bajrami, do të na mundësojë që ne duke e parë rrugën tonë, rezultatet tona të kërkimeve shkencore, të bëhemi ngadalë edhe pjesë e rrjetit ndërkombëtar të shkencës. “Kemi punuar që të ngrisim standardet e shkencës, sepse krahas reformës akademike, jemi duke futur edhe komponentin shkencor dhe kemi punuar që shkencëtarët e rinj të fokusohen në fushat, për të cilat ka më shumë nevojë zhvillimi ekonomik, në fushat ekzakte, teknologjike dhe të arriturave të reja shkencore.”

Ministri Bajrami përmendi edhe buxhetin e vogël për shkencë dhe tha se do të punojmë që buxheti të rritet dhe krahas rritjes së buxhetit të rritet cilësia e punimeve shkencore, të cilat do t’i shërbejnë edhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Duke theksuar nevojën e lidhjes së kërkimit shkencor me nevojat e ekonomisë së tregut, ministri Bajrami uroi që rezultatet e “Javës së Shkencës”, të kenë edhe aplikim në jetën praktike.

Ndërsa, kryetarja e Këshillit Shkencor të MAShT,  Myzafere Limani, tha se Programi Kombëtar i Shkencës adreson sfidat, me të cilat ballafaqohet shkenca dhe hulumtuesit në vendin tonë. “Unë besoj se kemi nevojë për një shoqëri që është përkrahëse e vlerave shkencore. Këshilli Shkencor, nga ky vit do të mbështesë edhe publikimet cilësore shkencore në revista ndërkombëtare me impakt faktor”, tha ajo.

“Java e Shkencës” do të zgjasë deri më 15 maj, ku do të zhvillohen seanca plenare dhe seanca tematike. Kjo është hera e shtatë e organizimit të kësaj Konference

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buxheti-per-shkence-do-te-rritet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala