Buxheti për projekte kulturore zbritet nga 200 mijë në 76 mijë euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Kulturës e ka shkelur fort premtimin e dhënë dy muaj më parë. Nga 200 mijë euro sa kishte deklaruar se do të ndaheshin për projektet kulturore me konkursin e dytë, ka ndarë hiç më shumë se një të tretën e kësaj shume.

Konkursi ishte hapur në fillim të nëntorit, dhe tek të enjten janë bërë të ditur fituesit, pas insistimit njëjavor të gazetës. Sipas listës finale, vetëm 76 mijë e 680 euro është shuma me të cilën janë përkrahur projektet e organizatave të pavarura kulturore, shkruan sot Koha Ditore.

Në mars shumë organizimeve u ishte përgjysmuar buxheti në raport me vitin e kaluar. Asokohe kjo kishte ndodhur me arsyetimin se ky “ishte vendim i jurisë”.

Edhe tash me të njëjtin arsyetim janë ndarë vetëm 76 mijë euro. Për kategorinë e promovimit kulturor janë ndarë 5 mijë e 700 euro, për atë të industrisë kreative 6 mijë, për takime letrare 3 mijë e 700, sa janë ndarë edhe për bibliotekat.

Diplomacia kulturore është përkrahur me 14 mijë e 500 euro përderisa projektet për diversitet kulturor me 5 mijë e 200 euro.

Në fushën e teatrit janë përkrahur projekte në vlerë prej 16 mijë e 880 eurosh, në atë të arteve pamore 7 mijë e 800 dhe për artet muzikore 13 mijë e 400. Gjithsej janë përkrahur 48 projekte të pavarura kulturore. Kërkesat kishin qenë mbi 1 milion euro

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buxheti-per-projekte-kulturore-zbritet-nga-200-mije-ne-76-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala