Buxheti i premtimeve të vjetra

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 50 milionë euro është vlera e projekteve të reja që priten të nisin gjatë gjithë vitit 2016. Aq është mundësia financiare e Qeverisë së Kosovës. Mbi 90 për qind të buxhetit të shtetit të destinuar për investime kapitale është kontraktuar apo iniciuar në vitet e kaluara. Dokumenti më i rëndësishëm që miraton Kuvendi brenda një viti, e që pasqyron vizionin e një qeverie në menaxhimin e parasë publike, ka një tjetër qëllim në Kosovë.

Është bërë instrument për realizimin e vendimeve dhe premtimeve të dhëna vite më parë, kryesisht në prag të zgjedhjeve. Vendimet e Qeverisë së kaluar për rritjen e pagave dhe ato të kësaj Qeverie për pagesat e ndryshme të skemave sociale kanë bërë që të ndryshohet struktura e buxhetit për ta bërë atë një buxhet social, që prioritet e ka ruajtjen e paqes sociale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Derisa shpenzimet për paga e pensione janë rritur, me ritëm të njëjtë të rritjes nuk kanë performuar edhe të hyrat. Ato kanë pasur një rritje simbolike gjatë dy viteve të fundit, duke e detyruar Qeverinë e Kosovës që t’i ulë investimet kapitale për të mbuluar koston e pagave, pensioneve dhe transfereve sociale.

Të hyrat për vitin 2016 do të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, ndërkaq shpenzimet do të jenë 1 miliard e 680 milionë euro. Rreth 27 për qind e buxhetit do të shkojë për investime kapitale. Ndërsa rreth 410 milionë euro është vlera e projekteve që janë bartur nga viti 2015 apo nga vitet e mëparshme, kurse vetëm 50 milionë euro është vlera e projekteve të reja apo vetëm 0.3 për qind të buxhetit të Kosovës.

Pjesa më e madhe e projekteve të reja kapitale do të jenë në riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Në vitet e fundit është shënuar një rënie e investimeve kapitale nga viti në vit. Derisa në vitin 2015, rreth 27 për qind të buxhetit shkon në investime kapitale, në vitin 2012, ato ishin sa 37 për qind e buxhetit

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buxheti-i-premtimeve-te-vjetra/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala