Bullgaria me cilësinë më të ulët të jetesës

Autori:Avdyl Pajaziti

Bullgaria është klasifikuar si vendi ku banorët janë më të pakanaqur me jetesën.

Departamenti i statistikave i Bashkimit Evropian, EUROSTAT, ka botuar së fundmi një raport për “kënaqësisë mesatare për jetesën”, ku Bullgaria radhitet e fundit, duke ngelur prapa të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian.

Bullgaria mund të jetë anëtarësuar vërtet në Bashkimin Evropian që në vitin 2007, por një studim i fundit i EUROSTAT-it tregon se ky vend ka për të bërë një rrugë të gjatë për t’iu afruar vendeve fqinje për sa i përket nivelit të kënaqësisë për cilësinë e jetesës.

Raporti i titulluar “Cilësia e Jetesës në Evropë” radhit të dhënat e marra nga pjesëmarrësit për aspekte të ndryshme të jetës së tyre, përfshirë marrëdhëniet personale, kohën që u duhet të udhëtojnë, hapësirat e gjelbërta, dhe situatën financiare.

Danimarka, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Islanda, janë në krye të listës si vende ku banorët shprehin kënaqësinë më të madhe për cilësinë e jetesës. Bullgaria klasifikohet shumë më poshtë mesatares së Bashkimit Evropian.

Ekonomisti Georgy Ganev mendon se shkaku për këtë rezultat kaq të ulët nuk është thjesht gjendja jo e mirë ekonomike.

“Situata financiare nuk paraqitet dhe aq e keqe në raport, megjithëse në shumë tregues jemi të fundit për Bashkimin Evropian. Megjithë një rritje progresive të të ardhurave, nuk dimë nëse njerëzit do të ndjehen më shumë të kënaqur. Është e qartë që ka shkaqe të tjera për pakënaqësinë e tyre.”

Antropologu Haralan Alexandrov bie dakort që problemi nuk është vetëm social dhe ekonomik, por edhe kulturor.

“I ngjason ndjesisë kur skualifikohesh në një garë me sportistë më të mirë se vetja. Duke qenë në periferi të Evropës, bullgarët preferojnë ta krahasojnë veten me vende më të pasura evropiane, dhe sigurisht që e humbasin këtë garë.”

Në vend që të ndihen të përfshira në zemër të Evropës, Bullgaria dhe Rumania shpesh e ndjejnë veten në qendër të kritikave të vendeve partnere të BE-së në lidhje me përkushtimin ndaj shtetit ligjor dhe vullnetit për të goditur korrupsionin, krimin e organizuar dhe emigracionin e paligjshëm.

Banorë të kryeqytetit bullgar Sofia mendojnë se anëtarësimi në BE nuk ka garantuar edhe biletën drejt stabilitetit demokratik, rritjes ekonomike dhe shanseve më të mëdha për të gjithë.

“Nuk kemi asgjë të përbashkët me Bashkimin Evropian, me Evropën. Cilësia jonë e jetesës është larg qytetarit mesatar evropian. Jemi vite drite larg.”

“Bullgaria quhet ‘Absurdistan’ pasi ne jetojmë në një vend absurd. Gjithçka projektohet që të funksionojë kundër popullit, dhe në favor të qarqeve që vjedhin fonde, në Evropë dhe gjetiu, dhe që thithin çdo gjë.”

Embargoja e vendosur nga BE-ja për importe armatimesh nga Rusia do të shuajë edhe lidhjet e fundit të mbetura ushtarake ndërmjet Evropës Qendrore dhe ish-padronit rus. Bullgarët mund ta gjejnë veten së shpejti të ngecur midis përpjekjeve për të arritur pjesën tjetër të BE-së, dhe një Rusie me të cilën nuk munden të ndërveprojnë më.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bullgaria-me-cilesine-me-te-ulet-te-jeteses/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala