Bukë e krypë me 8 për qind TVSH

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e Kosovës, të martën ka maarrë vendim që të ulë Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar për bukë, krip, vaj, mbeturina, furnizim me ujë dhe furnizim me energji. Kështu me ligjin e ri për TVSH-në, ii cili pret miratimin e Kuvendit të Kosovës, TVSH do të ulet nga 16 në 8 për qind për produktet elementare.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, duke prezantuar ndryshimet e bëra në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tha se disa prej ndryshimeve kryesore që do të ndodhin është ulja e pragut të TVSH-së nga 50 mijë në 30 mijë euro, e cila do të bëjë të mundur që deri në 1800 biznese shtesë të futen në regjimin e TVSh-së, duke rritur kështu formalitetin dhe duke zvogëluar ekonominë joformale.

“Ndryshimi i dytë i madh është përshkallëzimi i TVSh-së ulja prej 16 në 8 për qind për produktet elementare bukë, krip, vaj, energji, mbeturina, furnizim me ujë, furnizim me energji, duke lënë mundësinë që kësaj liste t’i shtohet edhe me tutje varësisht prej vlerësimeve të rregullta që bënë Ministria. Kemi vendosur të heqim TVSH-në nga linja e prodhimit që do të specifikohet me vonë me udhëzim administrativ. Do të heqim TVSH-në nga teknologjia informative dhe ka plot ndryshime tjera që e bëjnë me të lehtë implementimin e këtij ligji në praktikë”, tha Hoti.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Ministria e Financave tashmë po punon në reformimin e sistemit tatimor i cili është orientuar në krijimin e mjedisit të favorshëm për të bërë biznes dhe për të mundësuar një shpërndarje të barabartë të barrës tatimore tek të gjithë tatimpaguesit.

Kreu i ekzekutivit shtoi se për t’i reflektuar të gjitha këto ndryshime janë bërë plotësim ndryshime të ligjeve përkatëse siç është ligji mbi tatimin mbi vlerën e shtuar, ligji mbi të ardhurat e korporatave dhe ligji mbi të ardhurat personale.

“Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së, tek tatimi mbi vlerën e shtuar, përshkallëzimi i normës së TVSH-së, duke vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike me qëllim që të behet një shpërndarje e barabartë në të ardhur e konsumatorit dhe duke marr parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe duke marr parasysh se shumica shpenzon 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së për produktet bazike vlerësojmë se do ta rris mirëqenien e qytetarëve e veçanërisht atyre që kanë të ardhura me të vogla”, tha Mustafa.

I pari i Qeverisë shtoi se do të shqyrtohet edhe lista për lirime doganore, përmes së cilës synojnë të ulin koston e investimeve.

“Po ashtu do të shqyrtohet lista për lirime doganore, për aktivitetet prodhuese që shërbejnë për prodhimtari të drejtpërdrejtë. Përmes të cilave ne synojmë që të ulim koston e investimeve, përkatësisht të gjithë atyre që investojnë në vendin tonë. Konsiderojmë të rëndësishme kësaj mbledhje të Qeverisë sepse përmes saj ne po fillojmë të realizojmë disa prej synimeve të cilat i kemi vënë në programin tonë Qeverisës dhe po tregojmë se të gjitha ato synime që i kemi dhënë janë synime të cilat realizohen dhe do të japin efektet e tyre në kohën e duhur”, theksoi ai.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve fiskale, posaqërsisht ndryshimit të projektligjit për të ardhurat e korporatave është vendosur 10 për qind tatim për lojërat e fatit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buke-e-krype-me-8-per-qind-tvsh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala