Buka pritet të shtrenjtohet

Autori:Avdyl Pajaziti

Shqipëria dhe i tërë rajoni mund të përballet me një rritje çmimi të produktit më elementar, bukës.

Kjo për shkak se Rusia që është eksportuesi kryesor i grurit dhe miellit ka ndryshuar tarifat.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka thirrur sot në një takim prodhuesit e miellit në Shqipëri për të diskutuar mbi masat që duhen ndërmarrë, përpara se problemi të shkojë deri te konsumatori.

Rusia eksporton në Shqipëri rreth 140 mijë tonë miell në vit, dhe sipas ministrit Panariti, vendi nuk ka leverdi ta humb tregtinë me Rusinë kjo edhe për shkak të çmimit të favorshëm por edhe të cilësisë së produktit dhe standardeve që aplikon.

Madje Panirit ka deklaruar se ky ndryshim i çmimit mund të reflektoj edhe çmimet në rajon të produktit elementarë konsumues.

Megjithatë gjatë takimit me prodhuesit e miellit Panariti tha se në marrjen e masave diskutohet edhe gjetja e importuesve të rinj.

“Qëllimi i këtij takimi kishte të bënte me ndryshimin e konjukturave ndërkombëtare të tregtisë së miellit duke u nisur nga fakti që për arsye të ndryshme disa eksportues të mëdhenj të miellit sikurse është Rusia po aplikojnë tarifa suplementare për miellin e eksportuar. Mielli në bursë është i kuotuar me dollar dhe blerja bëhet me dollar kështu që ngritja dhe forcimi i dollarit është në disfavor të sasive të importuara”, tha ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Gjithashtu ministri u ndal edhe në paketën e unifikimit të standardeve të miellit midis Shqipërisë dhe Kosovës, platformë që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive.

Për këtë paketë të re standardesh u ra dakord gjatë vizitës që ministri shqiptar i Bujqësisë Edmond Panariti zhvilloi në Prishtinë, rreth dy javë më parë.

Lidhur me njehsimin e standardeve të miellit dhe produkteve të tjera kanë rënë dakord edhe vetë prodhuesit në të dyja shtetet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buka-pritet-te-shtrenjtohet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala