Buka e Skenderajt, “flakë” në Mitrovicë

Autori:Avdyl Pajaziti

Një furrë buke nga Skenderaj dhe një tjetër e Zubin Potokut po ua “nxijnë” jetën furrtarëve të Mitrovicës, pasi që buka që këto dy furra po e dërgojnë në Mitrovicë, nëpër markete dhe dyqane, po shitet me çmim shumë më të ulët.

E për të bërë diçka, para së gjithash me kërkesën për harmonizimin e çmimit të bukës, përfaqësuesit e furrtarëve të Mitrovicës kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtorin e Inspeksionit, Naim Hajra.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për bukën që sjellin në Mitrovicë një furrë buke e Skenderajt dhe një tjetër e Zubin Potokut, të cilat, sipas tyre, ofrojnë bukë me çmim më të ulët sesa furrat e Mitrovicës dhe në këtë mënyrë, siç thanë ata, “po i dëmtojnë ekonomikisht”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u tha atyre se tregu i vendin është unik dhe në këtë mënyrë nuk është në kompetencë të Komunës që ta përcaktojë çmimin e bukës.

“Ne si Komunë mund ta kontrollojmë bukën për peshë, cilësi nëse këtu ka shkelje, atëherë inspektorët mund të veprojnë dhe t’i sanksionojnë këto furra. Përndryshe, ne nuk mund të përcaktojmë çmimin e shitjes së bukës”, tha Bahtiri.

Ndërkaq, drejtori i Inspeksionit, Naim Hajra, ua bëri të ditur përfaqësues të furrtarëve të Mitrovicës, se inspektorët kanë kontrolluar peshën e bukën dhe deklaracionin dhe se disa herë, në mungesë të deklaracionit, është konfiskuar buka që ka ardhur nga Zubin Potoku.

“Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë këto kontrolle dhe nëse hetohen shkelje, atëherë do të sanksionohen furrat e tilla”, ka siguruar drejtori Hajra. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/buka-e-skenderajt-flake-ne-mitrovice/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala