Bujqësia familjare ushqen botën

Autori:Avdyl Pajaziti

Përpjekjet kundër urisë në mbarë botën janë të pareshtura, por me rreth 805 milionë njerëz të cilët ende nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, ende ka shumë për t’u bërë.

63 vende në zhvillim tashmë kanë përmbushur cakun e objektivit të zhvillimit të mijëvjeçarit për përgjysmimin e numrit të kequshqyerjes kronike deri më 2015. Ajo që dëshmojnë historitë e tyre është se për ta fituar luftën kundër urisë duhet të ketë përkushtim politik, qasje gjithëpërfshirëse, pjesëmarrje sociale dhe bujqësi familjare.

Në tërë botën bujqit familjarë po luajnë rol të rëndësishëm socio-ekonomik, mjedisor dhe kulturor që, mes sfidave serioze, duhet të nxiten dhe fuqizohen përmes mjeteve inovative.

Rreth 500 milionë prej 570 milionë fermave bujqësore të botës drejtohen nga familjet. Ato janë kujdestarët kryesorë të burimeve tona natyrore. Si sektor në vete, ato përbëjnë punëdhënësin më të madh në botë, duke furnizuar më se 80 për qind të ushqimit në botë, në kuptim të vlerës. Megjithatë, shumë bujq familjarë, posaçërisht prodhues të produkteve të jetesës, janë pjesë e 70 për qind të popullsisë me pasiguri të ushqimit në botë që jetojnë në zona rurale. Kjo do të thotë se bujqit familjarë ende kanë potencial të madh që mund të përmbushin nëse gëzojnë mbështetjen e duhur.

Bujqësia familjare dhe mbështetja që ajo merr duhet të përshtatet ashtu që të mund t’iu përgjigjen kushteve të ndryshme. Për t’u realizuar kjo, invacioni është kyç: bujqit familjarë duhet të jenë inovativë në sistemet që përdorin; qeveritë duhet të jenë inovative me politikat specifike që zbatohen për ta mbështetur bujqësinë familjare; organizatat e prodhuesve duhet te jenë inovative në mënyrë që t’iu përgjigjen më mirë nevojave të bujqve familjarë; dhe institucionet hulumtuese dhe të ekstensionit duhet të jenë inovative, duke kaluar nga proceset e bazuara në hulumtime kryesisht me qëllim të transmetimit të teknologjisë, në një qasje që mundëson dhe shpërblen inovacion nga vetë bujqit familjarë.

Të gjithë fitojnë nëse bujqit familjarë janë më të fortë: më shumë ushqim në dispozicion në nivel lokal përkthehet në siguri më të madhe ushqimore dhe mundësi të prodhimit dhe blerjes së ushqimeve në tregje lokale.

Nga ana tjetër, kjo nënkupton ushqime më të freskëta dhe më të shëndetshme që respektojnë kulturën vendore dhe vlerësojnë ushqimet vendore, kontribuon në të ushqyer më të mirë dhe shton rrjedhjen e parasë në ekonomitë lokale, gjë që ndihmon zhvillimin e tyre.

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bujqesia-familjare-ushqen-boten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala