Bujqësia do të zhvillohet më shumë kur të shtohen kooperativat bujqësore

“Ky model aplikohet kudo në botë dhe ka treguar sukses të jashtëzakonshëm në zhvillim e bujqësisë në vend. Unë në çdo takim kam kërkuar nga shoqatat dhe fermerët që të orientohen në këtë drejtim sepse bujqësia në Kosovë ku ka toka dhe ferma shumë të vogla e ka vështirë të bëjë hapa të mëdhenj, përkundër investimeve”, thotë Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Memli Krasniqi.
Në botë ka shembuj se si kompanitë, pasi janë bashkuar kanë pushtuar tregun sepse në një biznes të vetëm janë bërë prodhimi, përpunimi, tregtia dhe shpërndarja.
“Edhe tek ne ka raste të krijimit të tillë të kooperativave dhe që ka treguar sukses dhe që tashmë kanë depërtuar edhe në tregun evropian me produktet e tyre, por edhe kërkohen shumë edhe në tregun tonë”, thotë Krasniqi.
Ai thotë se përveç mundësive ligjore, si ministri po diskutojnë që të rrisin më shumë sensibilizimin për krijimin e kooperativave dhe po ashtu të parashohin kritere favorizuese në programin për mbështetje në projekte zhvillimore në bujqësi.
“Ne e kemi thënë se si shtet duhet të orientohemi në pika strategjike, dhe disa nga to tashmë i kemi siç janë sektori i mishit, pemëtaria, serrat, perimet dhe bimët mjekuese organike. Në këtë drejtim, në këto sektorë por edhe në të tjerë për të pasur zhvillim një nga modelet e suksesshëm është krijimin i kooperativave sipas modeleve evropiane sepse me nga 1 hektar ose 2 nuk mund të zhvillohet bujqësia”, thotë ministri Memli Krasniqi.
Kosova është vend bujqësor ku 61% e popullsisë jeton në viset rurale ndërsa 53% e sipërfaqes së përgjithshme të territorit është tokë e punueshme.
Mirëpo edhe sipas regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, në vitin 2011, karakteristikë negative e sektorit të bujqësisë në Kosovës rezulton të jetë numri më i madh i fermave të madhësisë së vogël.
Shumica e parcelave të tokës janë rreth 1 hektar dhe gjysma e ekonomive familjare kanë më pak se 0.65 hektarë, duke bërë që ato të shfrytëzohen sa për të jetuar e jo për qëllime komerciale.
Këto të dhëna tregojnë se ferma në Kosovë ka probleme të mëdha, në radhë të parë për fuqinë vogël të saj për tu përballuar me kushtet e tregut të hapur. Gjithashtu, me madhësinë e fermës ndërlidhet shumë edhe zhvillimi i saj, pra fermat e vogla nuk kanë mundësi të shfrytëzimit të teknologjive të reja, implementimin e teknikave dhe të arriturave të reja shkencore që do të ndikonin në zvogëlimin e kostos dhe shtimin e prodhimit, përkatësisht afarizmin pozitiv./lajmi.net