Brukseli i bashkohet QUINT’it, kërkon që të mos ketë ndërhyrje në KQZ dhe Gjykata

Autori:Gazeta Fjala

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen e njëjtë të ambasadave të shteteve të QUINT’it në Kosovë që të respektohet puna e institucioneve të pavarura për certifikimin e kandidatëve për deputetë dhe të mos ndërhyhet në punën e tyre dhe të organeve përkatëse të drejtësisë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në një përgjigje për Gazetën Express tha se procedurat e certifikimit përcaktohen me ligj dhe se për të njëjtat ka mundësi për ankesë.


Brukseli i bashkohet QUINT’it, kërkon që të mos ketë ndërhyrje në KQZ dhe Gjykata

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen e njëjtë të ambasadave të shteteve të QUINT’it në Kosovë që të respektohet puna e institucioneve të pavarura për certifikimin e kandidatëve për deputetë dhe të mos ndërhyhet në punën e tyre dhe të organeve përkatëse të drejtësisë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, në një përgjigje për Gazetën Express tha se procedurat e certifikimit përcaktohen me ligj dhe se për të njëjtat ka mundësi për ankesë.

Shtetet e QUINT’it, me anë të një deklarate të përbashkët të hënën, kanë kërkuar nga subjektet politike që të ndalin sulmet ndaj kryetares së Komisionit Qëndror Zgjedhor Valdete Dakës, teksa kanë bërë thirrje edhe për respektim të vendimeve për certifikim të kandidatëve për deputetë.

Për këtë çështje kanë folur për Gazetën Express edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero tha se BE’ja pret që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse të drejtësisë të lejohen ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.

“Procedurat parazgjedhore, përfshirë ato për certifikimin e kandidatëve, ende janë duke vazhduar. Këto procedura përcaktohen nga ligji dhe e përfshijnë mundësinë për ankesë. Është e rëndësishme që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse të drejtësisë të mund ta kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, tha zëdhënësja e KE’së, duke shtuar se presin që institucionet e Kosovës ta sigurojnë organizimin e zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, të mbajtura në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Pisonero tha poashtu se përshkak të afatit të shkurtër BE’ja nuk do të mund të dërgojë mision për vëzhgim të zgjedhjeve por që do të dërgojnë një mision ekspertësh për ta përkrahur në zgjedhje sa më transparente.

“Duke e marrë parasysh afatin e shkurtër, nuk do të ketë kohë të mjaftueshme që BE-ja të dërgojë një mision të kompletuar për vëzhgimin e zgjedhjeve për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që po vijnë. Megjithatë, ne do të dërgojmë një mision ekspertësh për zgjedhje për t’i përkrahur zgjedhjet e besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente. BE-ja ka shfaqur zotim dhe përkrahje të fuqishme për zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë duke dërguar disa misione vëzhguese që nga viti 2013. BE-ja ka lëshuar një grup rekomandimesh dhe vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha palëve përkatëse që të vazhdojnë t’i ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të fuqizohet dhe përmirësohet procesi zgjedhor”, tha ajo për Express të premten.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate janë disa prej subjekteve politike që kanë dorëzuar ankesë në PZAP.

Këto ankesa u bënë pasi KQZ’ja votoi që të mos lejohen që të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidatët për deputetë që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat, në tri vitet e fundit.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë pjesërisht ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo ka vërtetuar pjesën ku KQZ’ja ia ndalon pjesëmarrjen në garen zgjedhore pesë deputetëve që kanë dënime të formës së prerë, përfshirë këtu edhe bartësin e listës së LVV’së dhe kandidatin për kryeministër Albin Kurtin.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të mërkurën, kundër vendimit të PZAP’së derisa organi gjyqësor pritet të dalë me vendim brenda 72 orëve.

Ndërkaq të shtunën e kaluar në një video-adresim në Facebook, Vjosa Osmani paralajmëroi se do të ndërmarrë masa ndaj anëtarëve të KQZ’së.

“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, tha Osmani.

Edhe zyrtarë të lartë të VV’së e kanë akuzuar kryetaren e KQZ’së se po merr vendime, sipas preferencave të saj politike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/brukseli-i-bashkohet-quintit-kerkon-qe-te-mos-kete-nderhyrje-ne-kqz-dhe-gjykata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala