Britania tërheq filmin vizatimor ku personazhi shkel mbi faqet e Kuranit

Autori:Gazeta Fjala

Rrjeti komercial televiziv, Channel 5, transmetuesi i pestë kombëtar në Britani të Madhe, ka tërhequr nga programi i saj episodin e filmit të vizatuar për fëmijë “Fireman Sam” (Zjarrfikësi Sam), në të cilin personazhi i tij kryesor shkel mbi faqet e Kuranit.

Siç shkruan e përditshmja britanike “The Guardian”, në episodin e shtatë, zjarrfikësi i cili gëzon një popullaritet tek fëmijët, duke mbajtur në dorë një pjatë me gota të mbushura shkel mbi disa letra.

Në incizim, transmeton AA, mund të vërehet qartë se bëhet fjalë për faqe të Kuranit, më konkretisht tekst të shkruar me shkronja arabe.

Producenti i emisionit “HIT Entertainment”, ka kërkuar falje të parezervë nga shikuesit.

Kompania e cila pas vetes ka edhe filmat e popullarizuar vizatimor “Bob ndërtuesi” dhe “Pingu”, në një komunikatë të publikuar ka njoftuar për ndërprerje të bashkëpunimit me studion e animacionit të cilën e fajësojnë për gabimin e bërë.

“Ndiejmë keqardhje të thellë për gabimin që ka ndodhur. Ne sinqerisht kërkojmë ndjesë për shqetësimin që kjo mund të ketë shkaktuar. Nuk do të bashkëpunojmë më me studion që e bëri atë. Përveç kësaj, ne kemi marrë të gjitha masat për të siguruar që episodi kontrovers është hequr menjëherë nga qarkullimi”, thuhet në deklaratë.

Ndihmës sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Britanisë së Madhe, Miqdaad Versi, në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se “nuk e ka të qartë se çfarë kishte menduar producenti i filmit të animuar kur i është shfaqur kjo ide”.

Lajmi i tërheqjes së episodeve të diskutueshme është transmetuar nga shumë media ndërkombëtare, të cilat kanë shkruar se incidenti është një “akt islamofobik, që nuk është bërë rastësisht”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/britania-terheq-filmin-vizatimor-ku-personazhi-shkel-mbi-faqet-e-kuranit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala