Brenda bunkerëve sekretë bërthamorë të Shqipërisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Për dy dekada Shqipëria ndërtoi me furi bunkerë çimentoje, duke e barrikaduar veten për një luftë bërthamore, e cila nuk erdhi kurrë.

Sot vendi ka po kaq fortifikime sa ç’ka njerëz.

Në vitin 1967, diktatori shqiptar Enver Hoxha u bind se vendi i tij i vogël mund të pushtohej nga momenti në moment dhe nisi përgatitjet.

Pas thuajse 23 vitesh në pushtet, ai nisi programin e bunkerizimit.

Diktatori paranojak kishte adoptuar një politikë të vijës së ashpër staliniste dhe shumë shpejt shkëputi lidhjet me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën e Kuqe.

Shqipëria u bë një nga vendet më të izoluara në botë.

I bindur se sulmi do të vinte nga Lindja, por edhe Perëndimi, ai derdhi miliona dollarë në ndërtimin e rreth 750 mijë bunkerëve prej betoni dhe hekuri.

Kur u projektuan për herë të parë këto struktura në formë kërpudhash, inxhinieri i tha Hoxhës se është shumë i bindur se ato i rezistojnë një sulmi me tank.

Siç thotë historia, presidenti i tha inxhinierit të futej në bunker, ndërsa ai qëllohej me tank.

Ai doli i paprekur prej aty dhe 20 vitet në vazhdim, deri në vdekjen e diktatorit në vitin 1985, bunkerët ishin ndërtuar virtualisht kudo.

Sot ka pak a shumë një bunker për çdo katër shqiptarë.

Shumë mendojnë se sasisa e madhe e parave të përdorura për ndërtimin e këtyre strukturave mund të kishte shkuar për të zgjidhur problemin e strehimit në vend. Qindra njerëz vdiqën duke ndërtuar këto struktura.

Pavarësisht jetëgjatësisë së tyre, pak bunkerë janë hequr.

Ndërsa shumë prej tyre janë ndryshkur apo dëmtuar, shumë janë në përdorim si depo apo si strehë për të pastrehët.

Të rinjtë shqiptarë kanë gjetur mënyra për përdorimin e tyre në mënyrë kreative.

Në një projekt, të titulluar Concresco, fotografi David Galjaard zbuloi se një person e kishte kthyer një bunker në studio për tatuazhe, ndërsa të tjerët i përdorin si dyqane dhe restorante.

Që prej vitit 2010, një grup i vogël i tyre është përdorur për një festival të titulluar Bunkerfest, ku artistët i transformojnë strukturat e shëmtuara në vepra plot ngjyra.

Madje ka një libër të tërë, dedikuar pikërisht mundësive për ripërdorimin e bunkerëve.

Një grup ka rekomanduar kthimin e tyre në dhomëza hoteli, me dritare, dyer dhe funksione të tjera.

Dizajneri i parë i bunkerëve, Josif Zengali, nuk mendon se koncepti fillestar ka qenë i keq- po problem ishte teprimi me idenë fillestare.

“Nuk ka vend në botë që nuk ka fortifikime. Por gjithçka pa e tepruar,” pati deklaruar ai për Philadelphia Inquirer në vitin 1999.

Edhe pse bunkerët nuk u përdorën kurrë për luftën bërthamore, ato kanë qenë të vlefshëm gjatë kohës së luftës.

Në vitin 1999, gjatë lufës në Kosovë, shqiptarët në kufi me Serbinë i pastruan bunkerët dhe i përdorën.

Fillimisht u përdorën gjatë bombardimeve, më pas si strehë për të larguarit nga zona.

Pak vite më vonë Shqipëria zbuloi rreth 16 ton me gaz mustard të harruar në një bunker.

Ndërkohë që shumica e bunkerëve janë të vegjël, Hoxha dhe qeveria e tij ndërtuan një rrjet nëntokësor të ndërlikuar për të strehuar veten në rast sulmi.

Vitin e shkuar qeveria shqiptare hapi një prej tyre.

Struktura me 106 dhoma dhe pesë kate ishte varrosur 100 metra nën tokë në periferi të kryeqytetit, Tiranë, në vitin 1978.

Bunkeri ishte ndërtuar për t’i bërë ballë një shpërthimi me bombë atomike prej 20 kiloton, e ngjashme me atë të lëshuar në Hiroshimë.

Kjo nuk është më e nevojshme, Shqipëria ka në plan ta kthejë atë në një hapësirë për ekspozitë arti.

Duke folur në një nga sallat nëntokësore, kryeministri Edi Rama u tha një grupi ambasadorësh: “Sot kemi hapur një thesar të kujtesës sonë kolektive, që paraqet mijëra copa të ngjarjeve të trishtuara dhe jetës nën komunizëm”.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/brenda-bunkereve-sekrete-berthamore-te-shqiperise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala