BQK: 30 milionë euro më pak investime të huaja vetëm për tre muaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Bilanci i investimeve të huaja direkte (IHD) në Kosovë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ishte 29.5 milionë euro , apo 51 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), niveli më i ulët i IHD-ve në këtë tremujor krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka ardhur si rezultat i tërheqjes së kapitalit në formë të super disidentes dhe kthimit më të lartë të kredive ndaj kompanive investuese.
Po ashtu sipas të dhënave të BQK-së, pozicioni i investimeve në letra me vlerë jashtë vendi, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, gjatë këtij tremujori është zvogëluar për 99.4 milionë euro po ashtu edhe asetet rezervë janë zvogëluar për 80.8 milionë euro.
Ndërsa, borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, sipas të dhënave të BQK-së, i cili përfshin borxhin publik dhe borxhin privat, në fund të dhjetorit 2014 shënuar vlerën prej 1.73 miliardë euro. Po ashtu borxhi publik ka një pjesëmarrje të ulët në gjithsej borxhin e jashtëm me rreth 23 për qind, gjendja e të cilit në fund të dhjetorit ishte 392.8 milionë euro.
Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të dhjetorit 2014 ishte 326.4 milionë euro.
“Borxhi i sektorit privat në fund të dhjetorit 2014 shënoi vlerën prej 1.34 miliardë euro. Pjesa më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive, që janë në relacion të investimeve direkte 719.9 milionë euro, pasuar nga borxhi i sektorëve tjerë të ekonomisë 390.1 milionë euro dhe huamarrjet e bankave komerciale 229.0 milionë euro. Kreditë tregtare dominojnë në kuadër të sektorëve të tjerë, vlera e të cilave në fund të tremujorit të katërt 2014 arriti në 158.5 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse për periudhën fundit të vitit të kaluar ishte 151.2 milionë euro duke shënuar rritje prej 38.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
Po ashtu ka pasur rënie të aseteve të jashtme në vlerë prej 25.5 milionë nga tremujori paraprak dhe shënuan vlerën 4.29 miliardë euro.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, kontribuuesit kryesor në rënien e aseteve të jashtme ishin kategoria e investimeve portfolio e cila ishte më e ulët për 79 milionë euro dhe kategoria e aseteve rezervë e cila kishte një rënie prej 80 milionë euro

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bqk-30-milione-euro-me-pak-investime-te-huaja-vetem-per-tre-muaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala