Borxhet milionëshe të katër komunave

Autori:Avdyl Pajaziti

Çdo vit u teprojnë para, ndërkohë që u mbesin borxh operatorëve të ndryshëm. E arsyeja që japin zyrtarët komunalë për këto borxhe është “për mungesë të mjeteve”.

Katër komuna të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq e Graçanicë) e kanë përmbyllur vitin 2014 me borxhe ndaj operatorëve ekonomikë dhe po ashtu edhe me mosrealizim të mjeteve (borxh ndaj komunave). Mjetet e kthyera në para për këto borxhe të dyanshme bëjnë disa miliona euro.

Për këto borxhe kanë folur vetëm komunarët e Obiliqit dhe ata të Graçanicës, ndërsa kanë heshtur ata të Podujevës e Fushë-Kosovës. Megjithatë Auditori i Përgjithshëm i ka evidencuar disa nga borxhet për këto komuna.

Komunarët e Podujevës gjatë vitit 2014 u kanë mbetur borxh më shumë se 200 mijë euro furnizuesve të ndryshëm. Ndërsa borxhi ndaj komunës vetëm për tatimin në pronë është rreth 2 milionë e 700 mijë euro,shkruan sot Koha Ditore.

Sikur Podujeva edhe Fushë-Kosova nuk ka arritur të inkasojë më shumë se 2 milionë euro të bartura nga viti në vit për këtë borxh.
“Lista e debitorëve ndaj komunës, sipas të dhënave nga komuna, përbëjnë shumën e llogarive të arkëtuara në vlerë prej 3,342,387€.

Edhe Komuna e Obiliqit e ka përmbyllur vitin 2014 me borxhe ndaj të tjerëve dhe po ashtu me mosarkëtim të mjeteve nga tatimet. Drejtoresha për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Zarife Behluli, ka thënë se sa u përket obligimeve komunale, ato janë në vlerë prej 192 mijë e 839 eurosh.

“Borxhet e viteve të kaluara në emër të tatimit në biznes janë 36,000.00 €, kurse të planifikuara për vitin 2015 janë inkasuar 70 për qind e mjeteve, e që këto mjete mblidhen deri në fund të vitit.

Komunarët e Graçanicës nuk kanë arritur deri tash të inkasojnë më shumë se 1 milion e gjysmë euro nga bizneset e qytetarët e tyre. Drejtori i Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, Slavisa Niçiq, nëpërmjet zyrës për informim ka thënë se po ashtu borxhi që qytetarët dhe bizneset e kanë ndaj Komunës së Graçanicës deri në fund të vitit 2014 është 1 milion e 573 mijë e 190 euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/borxhet-milioneshe-te-kater-komunave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala