Bordi që keqpërdor laptopat dhe telefonat mobil

Autori:Avdyl Pajaziti

U ka skaduar mandati si anëtarë të Bordit, por kjo nuk i ka penguar që mos t’i kthejnë edhe mjetet e punës të cilat janë blerë nga buxheti i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Auditori i Përgjithshëm në raportin për Autoritetin e Aviacionit Civil për vitin 2014, ka gjetur shumë mangësi në menaxhimin e këtij institucioni, duke filluar nga menaxhimi i të mirave që kanë shfrytëzuar zyrtarët e saj.

“Bordi i drejtorëve prej pesë anëtarëve, gjatë mandatit të tij ishte i ngarkuar me mjete pune (llaptop dhe telefona mobil) për kryerjen e detyrave zyrtare. Bordit i kishte skaduar mandati dhe tani nuk janë aktivë, derisa mjetet e punës nuk i ksihin kthyer ende”, thuhet në raport, transmeton ORAinfo.

Auditori vlerëson se mos kthimi i mjeteve nga ish anëtarët e bordit, paraqet keqpërdorim të aseteve institucionale për qëllime private dhe mund të cilësohet si përvetësim i tyre, duke shkaktuar dëme materiale ndaj AAC-së.

Auditori ka rekomanduar drejtorin e Përgjithshëm që të sigurohet se janë marrë masa shtesë duke ju përkujtuar poseduesve të pasurisë procedurat dhe kërkesat ligjore për shfrytëzim dhe kthimin e pasurisë.

Auditori në këtë institucion po ashtu ka gjetur që lëshimi i licencave të jetë bërë në mungesë të kryerjes së obligimit financiar.

“Janë lëshuar gjashtë licenca për kontrollorët e trafikut Ajror në Aeroportin e Prishtinës, në total 1,200 euro. Faturimi për këto licenca është bërë, mirëpo nuk është pranuar pagesa. Sipas rregullorës nr.07/2011 pagesa duhet të bëhet brenda 7 ditëve nga lëshimi i licencës. Në të kundërtën, zbatohen gjobat dhe përllogaritet interesi.Megjithatë, kjo rregullore nuk precizon shumën e gjobës, apo normën e interesit të cilën përfituesit e licencave i detyrohen në rast të vonesës së pagesës së faturave”, thuhet në raport.

Auditori vlerëson se në këtë aspekt rritet rreziku që llogaritë e arkëtueshme të rriten, duke pasur parasysh mos pagesën e tarifës për licenca nga përfituesit.

“Për faktin se gjobat dhe normat e interesit nuk janë përcaktuar në rregulloren 07/2011, kjo mund të ndikojë në efikasitetin e arkëtimit të të hyrave”.

Auditori rekomandon drejtorin e Përgjithshëm të rishikoj rregulloren duke specifikuar penalitetet dhe normat e interesit të cilat do të aplikohen në rast të vonesës së pagesave. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bordi-qe-keqperdor-laptopat-dhe-telefonat-mobil/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala