Bogoevski: Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi u korruptuan me 5 milionë euro [dokumente]

Autori:Gazeta Fjala

Një aferë e madhe korruptive e cila u trajtua nga Gjykata e New Yorkut ka prekur rëndë drejtuesit më të lartë të partisë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Musa Xhaferi, njëherësh zëvendëskryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, akuzohen se kanë marrë 5 milionë euro nga “Magjar Telekom”, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.

Ish-shefi i policisë sekrete të Maqedonisë dhe ish-këshilltari i Qeverisë, Sllobodan Bogoevski, në dëshminë e tij dhënë avokatit të Komisionit amerikan për letër me vlerë (SEC), lidhur me rastin “Magjar Telekom” dhe kompanisë së saj motër – “Telekomi i Maqedonisë”, në mënyrë të hollësishme i përshkruan të gjitha operacionet dhe aktivitetet në të cilat ka marrë pjesë edhe ndërmjetësuesi i tyre, i angazhuar nga biznesmeni kontrovers grek, Dimitris Kondominas, transmeton Koha.net.

Para gjykatës së New Yorkut, Bogoevski ka folur për miton e marrë nga partnerët shqiptarë të Qeverisë së vitit 2005-2006 të drejtuar nga ish-kryeministri Vllado Buçkovski me qëllim të korruptimit të tyre.

Kështu, në transkriptin e publikuar në 166 faqe, Bogoevski i përmend Buçkovskin dhe personat A.A. dhe M.Xh. se në më shumë raste, më ndërmjetësim të njerëzve të Kondominas, kanë marrë mito në vlerë prej 7.5 milionë euro (në kesh).

I pyetur nëse i njeh personat me inicialet A.A. dhe M.Xh., Bogoevski thotë se ata janë Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi dhe sipas tij paratë u janë dhënë për t’i korruptuar zyrtarët shqiptarë.

Bogoevski thotë se partnerët shqiptarë të Qeverisë së atëhershme kanë kushtëzuar nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në mes të dy palëve, me pagesën e këstit të parë të shumës së marrëveshjes për ryshfet në vlerë 2.5 milionë euro, transmeton Koha.net.

Bashkëpunëtorë të Buçkovskit dhe Kondominasit kanë udhëtuar për në Tetovë tek shtëpia e Abdilhalim Kasamit, shef i atëhershëm i financave në BDI, thotë Bogoevski, sipas të cilit aty kanë qenë edhe Ahmeti dhe Xhaferi.

Atyre, siç dëshmon Bogoevski, paratë u janë dorëzuar në kesh.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bogoevski-ali-ahmeti-dhe-musa-xhaferi-u-korruptuan-me-5-milione-euro-dokumente/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala