Bllokohet stacioni i autobusëve në Prishtinë (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Katërmbëdhjetë kompani të autobusëve që operojnë në linjën Prishtinë-Mitrovicë e anasjelltas, kanë bllokuar sot për rreth 30 minuta të gjitha hyrje-daljet e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Bllokimin e kanë bërë në formë proteste, duke kundërshtuar kombi-busët që operojnë si taksi në këtë linjë.
Stacioni ka qenë i bllokuar nga ora 8:45 deri në ora 9:15.

Udhëheqësit e këtyre kompanive i kanë thënë Klan Kosovës, se për 15 vite ata kanë qenë të dëmtuar nga taksistët ilegal, ndërsa sipas tyre institucionet relevante nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tyre.
protesta4
Hashim Miftari nga kompania “Blendi Reisen”, ka thënë se për këtë çështje janë fajtor Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit. “Këto dy institucione ia hedhin fajin njëra-tjetrës”, i ka thënë Miftari, Klan Kosovës.

“Komuna thonë se kjo linjë është ndërurbane dhe është nën menaxhimin e Ministrisë, ndërsa këta thonë se për këtë çështje duhet të kujdesën inspektorët komunal të Prishtinës”.

Për këtë çështje drejtuesit e këtyre kompanive ju kanë dërguar edhe një shkresë institucioneve relevante ku janë ankuar siç thonë ata për punën ilegale të kombi-busëve.
protesta2
Ndërsa në bazë të Ligjit për Transport Rrugor i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013, thuhet se “puna e kombi-busëve trajtohet si ilegale dhe se përgjegjësinë e drejtpërdrejt për zbatimin e këtij Ligji, gjegjësit për ndalimin e punës së kombi-busëve e bartë Inspeksioni Komunal”.

Në Komunën e Prishtinës, kanë thënë se nga vjeshta e vitit të kaluar ata kanë nisur aksione kundër këtyre taksistëve ilegal. “Inspektorët Komunal për çdo ditë të punës në bashkëpunim me policinë e Kosovës, konfiskojnë veturat e taksistëve, por ata vazhdojnë të kthehen”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

“Për të evituar plotësisht këtë gjendje neve na duhet bashkëpunim më i madh edhe me komunat dhe institucionet tjera, deri tash ne kemi vepruar në bazë të kompetencave që kemi”.

Protestën e kanë vëzhguar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se “gjithçka ka përfunduar qetë sa i përket kësaj proteste” ndërsa drejtuesit e këtyre kompanive kanë thënë se nëse institucionet nuk marrin masa, ata do të vazhdojnë sërish protestat kundër kombi-busëve që operojnë në linjën Prishtinë-Mitrovicë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bllokohet-stacioni-i-autobuseve-ne-prishtine-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala