Bllokimi i Kuvendit të Kosovës minon ligjet e reja

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka gati dy muaj që nuk ka miratuar ndonjë projektligj që është paraparë me programin legjislativ, ndërsa në periudhën janar- korrik ka miratuar vetëm 29 projektligje.

Dy ligjet e fundit që janë miratuar me 3 gusht 2015, janë Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Këto ligje lidhen me krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës që do të merret me krime lufte.

Vonesën e miratimit të projektligjeve e ka vërejtur edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti.

Në mbledhjen e kryesisë së mbajtur më 29 shtator, Hamiti ka kërkuar nga kryesia që të caktohet një seancë vetëm për miratim të ligjeve.

“Unë kisha një ide pak më ndryshe, që të bëjmë një seancë për punë legjislative. Unë po e shoh që janë shtatë ligje, prej tyre gjashtë në lexim të parë dhe një në të dytin. Kjo është detyrë numër një e kuvendit dhe nuk ka arsye të mos diskutojmë gjitha këto ligje”, tha Hamiti.

Qeveria e Kosovës në programin legjislativ për vitin 2015 kishte dërguar në Kuvend 47 ligje, nga të cilat u miratuan vetëm një pjesë.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të cilët monitorojnë punën e Kuvendit shprehen kritikë ndaj këtyre mosrealizimeve.

“Nëse shohim këto 47 projektligje që i ka dërguar qeveria vetëm 29 prej tyre prej periudhën janar-korrik 2015 ka arritur Kuvendi t’i miratojë. Nëse shohim se sa ka dhënë Kuvendi apo komisionet mundësi për debat dhe për të marr njoftime nga palët e tjera, se sa ka organizuar me një fjalë dëgjime publike janë vetëm 8 organizime publike që janë organizuar me qëllim të diskutimit të projektligjeve. Do të thotë 21 projektligje janë miratuar pa dëgjim publik ndërsa 8 të tjera janë miratuar me dëgjime publike”, deklaroi Visar Rushiti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP.

Ai tha se në dy muajt e ardhshëm shtator–tetor, Kuvendin e Kosovës e presin edhe 22 projektligje për miratim apo lexim të dytë, ndërsa tregoi se muaji maj dhe korrik kanë qenë më të suksesshmit.

“Institucionet që i kanë dërguar këto ligje janë Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Kurse muaji që nuk është miratuar asnjë ligj është muaji shkurt dhe qershor”, deklaroi Rushiti.

Tri partitë Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, ditë më parë bllokuan seancën parlamentare në të cilën Kryeministri Isa Mustafa kishte filluar të raportonte për marrëveshjet e Brukselit.

Madje në shenjë pakënaqësie deputetët e opozitës kishin hedhur vezë në drejtim të Kryeministrit.

Që nga kjo seancë, partitë opozitare kanë deklaruar se do të bllokojnë Kuvendin derisa të mos anulohet marrëveshja me Serbinë, sipas së cilës lejohet krijimi i Asociacioneve të Komunave Serbe në Kosovë.

Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Driton Selmanaj, nuk pajtohet me bllokimin opozitar, duke thënë se pengohet miratimi i ligjeve.

“Mendoj që kjo formë e reagimit është e paqëlluar dhe mendoj që është e papranueshme që dikush ta bllokoj jetën e Kuvendit të Kosovës me këtë qasje”, tha Selmanaj.

Selmanaj tha se fillimi i legjislaturës së pestë në asnjë aspekt nuk ka funksionuar si duhet.

“Në fillim të këtij viti kishte shumë pak seanca, krijohej përshtypja që gjithçka ishte në rregull e në fakt e në fakt shumicën e obligimeve kushtetuese që ky institucion i ka akoma nuk po arrit t’i kryejë. Më pas temat e mëdha siç janë Gjykata Speciale e tash Asociacioni e kanë zhvendosur Kuvendin nga obligimet e veta kruciale që i ka”, tha Selmanaj.

Ai tha se nuk beson që këtë vit, Kuvendi do t’i përmbushë obligimet më shumë se 30 për qind.
Deputetët e opozitës sërish bllokuan seancën e së enjtes në shenjë pakënaqësie ndaj “Zajednicës”, siç e quajnë ata Asociacionin.

Gjatë kësaj seance ishin paraparë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Letërnjoftimin, shqyrtimi i parë i Projektligjit për treguesit gjeografikë si dhe një sërë emërimesh. /kallxo.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bllokimi-i-kuvendit-te-kosoves-minon-ligjet-e-reja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala